Dhjetëra vende po marrin pjesë sot (të hënën) në një takim në Busan të Koresë së Jugut që po karakterizohet si përpjekja e fundit për të trajtuar krizën botërore shkaktuar nga mbetjet plastike. Ky është takimi i pestë për të arritur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për të ndaluar ndotjen e mjedisit nga mbetjet plastike. Sipas Organizatës ndërqeveritare për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, nëse nuk arrihet një marrëveshje për ndryshim politikash deri në vitin 2040, prodhimi dhe përdorimi i plastikës në nivel botëror do të rritet në nivelin 70 %.
Ndërsa zyrtarët përpiqen të gjejnë një zgjidhje, përfaqësues nga industria e objekteve të plastikës, shkencëtarë dhe aktivistë për mbrojtjen e mjedisit synojnë të hartojnë një plan se si bota duhet të trajtojë problemin në rritje nga mbetjet plastike.
“Bota i kupton pasojat e këtyre mbetjeve. Unë jetoj në Kenia dhe për fat të keq shohim një përdorim të gjerë të plastikës njëpërdorimshe. Kjo ndot mjedisin. Nga qindra miliona tonë plastikë që prodhojmë, një sasi jashtëzakonisht e madhe e tyre përfundon në mjedis”, thotë Inger Andersen, Drejtoreshë e Programit mbi Mjedisin të OKB-së.
Zonja Andersen thotë se trajtimi i këtij problemi “është një çështje për drejtësi për brezat që do të vijnë dhe do të jetojnë me gjithë këto mbeturina”.
“Njerëzit duan arritjen e një marrëveshjeje. Prandaj, në Busan të Koresë, ku po mbahet raundi i fundit i diskutimeve, ne duhet ta arrijmë atë marrëveshje”, thotë ajo.
Katër takimet e mëparshme globale kanë treguar se ende ka dallime të mëdha në qëllime dhe interesa në mes të grupeve që po negociojnë një zgjidhje.
Të udhëhequr nga Norvegjia dhe Ruanda, 66 ministra duan që marrëveshja të trajtojë problemin e sasisë së përgjithshme të plastikës në Tokë duke kontrolluar prodhimin, konsumin dhe mënyrën e riciklimit të plastikës.
Delegacioni nga vendi ishull Mikronezia, udhëhoqi përpjekjet për të tërhequr më shumë vëmendje ndaj prodhimit “të paqëndrueshëm” të plastikës me projektin e quajtur ‘Ura për në Busan’. Vendet ishuj përballen me sasi të mëdha të mbetjeve plastike të vendeve të tjera që përfundojnë në brigjet e tyre.
“Qëllimi është që të trajtohet problemi me plastikën dhe ndotjen afatgjatë gjatë gjithë ciklit të jetës. Ne besojmë se trajtimi i problemit duhet të përfshijë edhe prodhimin e plastikës pasi ato kryesisht prodhohen me lëndë djegëse fosile. Ka pasur një kundërshtim të fortë për përfshirjen e fazës së prodhimit nga karburantet fosile në marrëveshje pasi vendet prodhuese e shohin atë si sektor kryesor të rritjes së ekonomisë së tyre”, thotë Dennis Clare, këshilltar ligjor i delegacionit nga Mikronezia.
Pjesa më e madhe e plastikës prodhohet nga lëndë djegëse fosile. Arabia Saudite është eksportuesi më i madh në botë i llojit më të zakonshëm të plastikës, polipropilenit primar. Ai përbënte rreth 17% të eksporteve gjatë vitit të kaluar, sipas Shoqatës së Industrisë së Plastikës.
Industria e plastikës kërkon me ngulm një marrëveshje që përqëndrohet tek riciklimi dhe ripërdorimi i produkteve plastike. “Industria kërkon nga bisedimet në Korenë e Jugut një përpjekje për një marrëveshje duke u përqëndruar në sfidat kryesore për t’i dhënë fund ndotjes nga plastika në mjedis. Pra, këtu duhet të përqëndrohemi e jo te rregullimi i kimikateve apo frenimi i prodhimit të plastikës”, thotë Chris Jahn nga Sekretariati i Këshillit Ndërkombëtar të Shoqatave Kimike.
Ai thotë se shumë vende nuk do të pranojnë një marrëveshje nëse përfshihen kufij prodhimi në të. Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kryesuan tregtinë globale të plastikës nga eksportet dhe importet në vitin 2023, njoftoi shoqata. Delegacioni i Shteteve të Bashkuara në fillim tha se vendet duhet të zhvillojnë planet e tyre për të vepruar, një pozicion që shihet si përpjekje për të favorizuar industrinë e plastikës. Uashingtoni ndryshoi pozicionin e tij këtë verë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara janë të hapura për të shqyrtuar objektivat globale për reduktimin e prodhimit të plastikës. Organizatat që merren me mbrojtjen e mjedisit akuzuan Shtetet e Bashkuara se po tërhiqeshin sërish nga ky qëndrim me afrimin e negociatave.
“Ky është takim i fundit për arritjen e një marrëveshjeje prandaj është tepër i rëndësishëm pasi ne jemi vonuar në këtë çështje. Prodhimi është në rritje. Në 19 vitet e fundit prodhimi i plastikës është dyfishuar. Sasia e mbetjeve në ujërat dhe komunitetet tona, si dhe kërcënimet për shëndetin e njerëzve gjithashtu po rriten çdo ditë”, thotë Margaret Spring shkencëtare nga akuariumi në Monterey Bay të Kalifornisë.
Sipas Organizatës ndërqeveritare për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim rritja e mbeturinave plastike do të vazhdojë nëse nuk ka ndryshime politikash. Prodhimi dhe përdorimi i plastikës në nivel botëror pritet të arrijë në 736 milionë tonë deri në vitin 2040, 70% më shumë krahasuar me vitin 2020.