Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol urdhëroi ushtrinë të mërkurën që të hakmerret në mënyrë të menjëhershme dhe të ashpër, në rast të ndonjë provokimi nga Koreja e Veriut.
Urdhri i tij, vjen mes shqetësimeve se Koreja e Veriut mund të kryejë testin e parë bërthamor në pesë vitet e fundit, shkruan Reuters.
Yoon, i cili mori detyrën në muajin maj, kryesoi takimin e tij të parë me komandantët e lartë ushtarakë dhe bëri thirrje për aftësi të forta për të penguar programet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut.
Koreja e Veriut këtë vit ka kryer teste raketore me një ritëm të paprecedentë dhe besohet se po përgatitet për testin e saj të shtatë bërthamor.
Shteti i izoluar komunist ka testuar dhjetëra raketa në muajt e fundit, duke përfshirë një raketë balistike ndërkontinentale.
OKB-ja e ndalon Korenë e Veriut nga testet e armëve balistike dhe bërthamore dhe ka vendosur sanksione të rrepta pas testeve të mëparshme.