Menjëherë pasi kryeministri italian Antonio Conte ka deklaruar se gjithë Italia do të shpallet zonë e kuqe për shkak të koronavirusit, kanë ardhur edhe reagimet nga zyrtarët e lartë shqiptarë të Shëndetësisë.
Drejtori i Emergjencës Kombëtare në vendin tonë Skënder Brataj i ftuar në emisionin “Real Story” në “Neës 24” deklaroi se tani që gjithë shteti fqinj është në zonë të kuqe sa i takon koronavisurit, të gjithë të kthyerit nga Italia do të jenë nën kujdes të vecantë të shtetit tonë.
“Italia ka ndjekur një rast tipik. Kur lindi problemi, u bllokuan disa qytete në veri, zbriti në Regio Emilia dhe kudo ku kishte probleme. Zona e kuqe tashmë është e gjithë Italia dhe ndaj do marrim masa për të gjithë ata që vijnë nga shteti italian”, tha ai.
Ndërsa, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico tha se në lidhje me koronavirusin, janë ndjekur të gjitha protokollet e OBSH.
“Në të gjithë punën tonë, bazohemi tek puna e ndërkombëtarëve. Që kur Kina shpalli emergjencë, ne nuk qëndruam duarkryq. Janë marrë masa, padiskutim që janë marrë masa dhe janë të dokumentuara. Është bërë një punë e madhe. Task Forca ka qenë prezente. Ne kemi bërë transparencë në cdo lloj rasti. Janë ndjekur të gjitha protokollet e OBSH”, tha ajo.