Koronavirusi, Manastirliu: Po testojmë 18 raste të tjera, të moshuarve do t’u çohet pensioni në shtëpi, pa kosto

AKTUALITET


Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë thirrje qytetarëve që të mos  vetëreferohen apo të dynden në spital.

Ndërkohë ka sqaruar se Shqipëria i ka kapacitete për të bërë edhe mbi 500 analiza në ditë, por duke respektuar protokollin e OBSH.

“Të shmangin daljet nëpër kafene, restorante, të shmangin daljet e panevojshme. Nëse merren këto masa, atëherë ne do kemi të gjithë mundësinë për ta parandaluar këtë situatë. Qytetarët të mos referohen vetë në spital, sic ishin dy të rinjve nga Skrapari, nuk pranuan ambulancës, por erdhën me makinën e tyre, ndërkohë që një gazetare me një maskë që e ulte dhe e vinte i bënte intervistë. Vetëm vajza kishte simptomat, ndërsa burri jo. Vetëreferimi dhe dyndja në spitale nuk na ndihmon që të përballojmë këtë situatë. Jemi të përgatitur për kapacitete deri në 500 në ditë, madje edhe më shumë nëse duan të testohen, sipas protokolleve, por jo që të bëjë dikush që do të dijë nëse është prekur, por nuk ka pasur kontakte me të prekur apo histori udhëtimi”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ka bërë me dije se janë bërë dhe 18 analiza të tjera dhe priten rezultatet nëse janë me COVID-19 apo jo.

Kemi bërë dhe 18 analiza të tjera dhe priten rezultatet e tyre për të parë nëse janë me koronavirus. Ne kemi bërë një kontroll në të gjithë Shqipërinë dhe ftojmë të gjithë qytetarët që kanë dyshime të kontaktojnë në numrin 127”, u shpreh Manastirliu.

Më tej ministrja bëri të ditur se “pensionistëve do t’i dërgohet pensioni në shtëpi, me kosto zero, duke u mbështetur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë“.



Skip to toolbar