Koronavirusi, Vatikani dhe Holanda raportojnë rastet e para

AKTUALITET


Zyrtarët shëndetësor globalë kanë paralajmëruar shtetet që ta trajtojnë më me seriozitet shpërthimin e koronavirusit, teksa ai përhapet në Evropë dhe Amerikën Veriore.

Holanda dhe Vatikani kanë raportuar rastet e para të prekura me këtë virus më 6 mars, teksa numri i të infektuarve në botë ka arritur në afro 100 000, shifër që pritet të tejkalohet më vonë gjatë ditës. Vetëm në Kinë, vendin ku është raportuar për herë të parë nga ky virus, deri më tani kanë vdekur mbi 3,000 persona.

“Këto nuk janë stërvitje”, ka thënë shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke bërë thirrje për “përgatitje agresive”, në mënyrë që të luftohet përhapja e virusit. Mirëpo krahas qeverive, bizneset janë duke e pësuar më së keqi nga kjo situatë. Disa ekonomi masive, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë ulur normat e interesat dhe janë zotuar për ofrim të miliarda dollarëve për luftim të epidemisë, shkruan Rel.

Kjo krizë ka shtyrë kompani të mëdha në botë, përfshirë Google, Facebook, Amazon dhe Microsoft t’iu kërkojnë punëtorëve të tyre të punojnë nga shtëpia. Një ditë më parë, Senati amerikan ka miratuar projektligjin për ndarjen e 8.3 miliardë dollarëve për luftim të kësaj sëmundje.



Skip to toolbar