Kosova nis përgatitjet për rimëkëmbjen ekonomike, Ministria e Financave: Nevojiten 700 mln euro

AKTUALITET


Ministria e Financave dhe Transfereve ka filluar përgatitjen e planit për pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Për këtë çështje është paraparë të formohet edhe një komision. Ky komision parashihet të ketë partneritet me shoqatat, odat ekonomike si dhe botën akademike.

Zëvendësministri i Financave dhe Trasnfereve, Agim Krasniqi, tha për Ekonomia Online se nevojitet një bashkërendim që pakoja e rimëkëmbjes ekonomikë të jetë funksionale dhe në drejtim të bizneseve.

“Idetë e para për pakon e rimëkëmbjes ekonomike janë përgatitur nga Ministria e Financave, ku do të marrin pjesë edhe disa ministra të linjës, janë të ftuar edhe përfaqësues të odave dhe shoqatave dhe botës akademike. Këto ide që ka MF dhe ato të bizneseve do t’i vendosim brenda pakos.

Jemi në përgatitje të komisionit, por nuk kemi diçka konkrete. Në kuptimin e përgatitjes së ideve po, por ato duhet t’i diskutojmë me partnerët që kjo pako me qenë funksionale, me iu përgjigj bizneseve me mundësitë që ka Kosova”, ka thënë Krasniqi.

Me tej, Krasniqi ka deklaruar se nevojitet edhe ndryshim i bazës ligjore për menaxhim të financave publike që qeveria të marrë kredi dhe letra me vlerë.

Ai ka thënë se priten deri në 200 milionë euro më pak të hyra, derisa ka thënë se duhet të përgatitet ”injeksioni” që në total kap shifrën prej 700 milionë eurosh për rimëkëmbje ekonomike.

“Mund të presim rreth 200 milionë euro më pak në pjesën e të hyrave, por kur pako është e përgatitur do të shikohet sa mjete qeveria duhet të kërkojë prej kredimarrjes dhe burimeve të tjera siç janë letrat me vlerë.

Ato kërkojnë që të bëhen edhe disa rregullime në bazën ligjore, kryesisht Ligjin për Menaxhim të Financave Publike për të lejuar që Qeveria e Kosovës, me thye rregullën që është për deficitin buxhetor, për bilancin bankar dhe pjesës me kredimarrje. Këto elemente duhet t’i koordinojë me Kuvendin. Por deri në atë kohë nuk e pengon qeverinë të marrë masa dhe ta përgatitë planin.

Krahas pakos emergjente që duhet t’i mbulojë me rreth 189 milionë masat e marra, humbjet që janë rreth 200 milionë, duhet të përgatitet injeksioni prej 400 milionësh. Në total, 700 milionë duhet të jetë shifra për rimëkëmbjen ekonomike”, u shpreh Krasniqi për EO.

Krasniqi potencoi se pako ka prioritet prodhimin dhe bujqësinë.

“Prioritet do t’u jepet: prodhimit, IT-së, bujqësisë. Fokusi duhet të jetë te bimët industriale dhe të tjera që mund të jenë më ekonomike e që me u përgatit edhe për një ndryshim të bilancit të pagesave dhe tregtar duke i përdorur këto masa”, tha ai./RTK



Skip to toolbar