Kosova, pjesë e konkluzioneve në SHBA, NATO: Ballkani Perëndimor pikë strategjike, ta mbrojmë

KOSOVA


Kosova është pjesë e konkluzioneve të punimeve në samitin e NATO-s në Uashington. Në pikën 31 të deklaratës së firmosur nga vendet anëtare, thuhet se “Ballkani Perëndimor është një rajon i një rëndësie strategjike për Aleancën”.

“Ne mbetemi fuqishëm të përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të vendeve të rajonit. Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik me Ballkanin Perëndimor për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale, si dhe luftën kundër ndikimit malinj, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, të paraqitura nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë”, Konkluzion i NATO në samitin e SHBA.

Mbështetje jepet dhe për mbrojtjen e vlerave demokratike, shtetit të së drejtës dhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

“Ne mbetemi të përkushtuar në angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë mes misionit KFOR”, Konkluzion i NATO në samitin e SHBA.

Në samitin e Uashingtonit u krijua dhe “Shengeni” ushtarak ballkaniko-europian. Shqipëria, Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut firmosën Letrën e Qëllimit për Sigurimin e Lëvizshmërisë Ushtarake përgjatë korridorit të VIII Pan-Europian.

“Trupat e NATO-s do të kenë mundësinë të zhvendosen më shpejt dhe më lirisht nga Deti Adriatik në Detin e Zi apo të depërtojnë në Ballkan”, njofton ministri shqiptar i mbrojtjes, Niko Peleshi.



Skip to toolbar