“Kosova, zemra e Shqipërisë”, nis me protesta takimi i Mini-Shengenit Ballkanik

AKTUALITET


Takimi i Mini-Shengenit Ballkanik që zhvillohet për herë të parë në Tiranë është pritur me protesta nga dhjetëra qytetarë të cilët kanë shprehur kundërshtimin e tyre për mbajtjen e këtij takimi për shkak të mos përfaqësimit të Kosovës.

Në sheshin përpara Kryeministrisë një grup qytetarësh kanë protestues duke hedhur parulla të tilla si “Kosova, zemra e Shqipërisë”, “Rama ik”, “Turp, turp”, “Edvin tradhtar”; përmes të cilave ata kundërshtojnë zhvillimin e këtij takimi dhe veçanërisht praninë e Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç në Tiranë. Në vend ndodhen forca të shumta policie për të garantuar mbarëvajtjen pa incidente të takimit.

Pjesëmarrës në këtë takim janë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe për herë të parë merr pjesë edhe presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviç. Pas përfundimit të mbledhjes që po zhvillohet me dyer të mbyllura liderët e rajonit do të japin një konferencë për shtyp.

Më herët gjatë ditës ata vizituan zonat e prekura nga tërmeti dhe panë nga afër dëmet e shkaktuara në qytetin e Durrësit.

Ashtu si në dy takimet e mëparshme, Kosova nuk është bërë pjesë e takimit. Edhe Bosnje-Hercegovina, e cila u prezantua në takimin e Ohrit në nivel ministri, nuk merr pjesë në takimin e Tiranës.



Skip to toolbar