Përballja Çeki-Kosovë ka ndezur atmosferën në Plzen mes festës me këngë të tifozerisë dardane dhe thirrjeve raciste të tifozerisë çeke. Sonte (e enjte) në orën 20:45 Republika e Çekisë do të presë në ‘Doosan Arena’ përfaqësuesen e Kosovës në ndeshjen e parafundit për eliminatoret në “Euro 2020”.
Atmosfera te hoteli ku po qëndrojnë futbollistët e Kosovës është me tensione dhe emocione njëkohësisht, pasi tifozët “Dardanë” kanë dhuruar spektakël në Plzen, ndërsa çekët kanë shënuar disa incidente. Tifozët kanë kënduar për të motivuar lojtarët që pas pak do të dalin në fushën e blertë për të synuar kualifikimin historik në Kampionatin Europian.
Nga ana tjetër, mediat kosovare raportojnë se rreth 20 tifozë vendas janë afruar te hoteli ku po qëndrojnë futbollistët e Kosovës në Plzen duke brohoritur “Kosova është Serbi”. “KTV” raporton se policia çeke ka larguar shpejt këta persona për të mos lejuar përplasje me tifozët e Kosovës. “Dardanët” po qëndrojnë afër hotelit ku janë futbollistët e Kosovës, të cilët shoqërohen nën masa të rrepta sigurie.
Po ashtu ka pasur raportime se tifozët vendas kanë sulmuar ata të Kosovës, duke iu shkaktuar edhe disa probleme. Ndërkohë që tifozët e “Dardanëve” ishin duke pushuar pas udhëtimit që kishin bërë, disa tifozë çekë me maska i kanë sulmuar, ndërsa policia ka marrë msa të forta për të shmangur përplasjet mes tifozerive.