Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë kryetarin e gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita. Vendimi është dhënë të premten nga KPK, ndërsa seanca dëgjimore ishte realizuar më 13 qershor. Kreu i Gjykatës Administrative të Apelit Kastriot Selita u përball gjatë seancës dëgjimore me dyshimet e KPK për favorizim të Bledar Valikajt, bashkëshortit të deputetes së PS Ermonela Felaj në padinë ndaj Presidentit, dyshimet për konflikt interesi dhe një denoncim anonim nga kolegët.
Sa i përket denoncimit, në seancë u tha se ishte kryer nga një grupi gjyqtarësh anonimë të Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë, të cilët pretendonin për lidhje të mundshme të gjyqtarit Selita me një person të përfshirë në krimin e organizuar. Por relatorja tha se pretendimet në denoncim nuk u vërtetuan, ndërsa Komisioni nuk evidentoi gjatë leximit të relacionit ndonjë problematikë lidhur me deklarimin e pasurisë së Selitës, megjithëse i kishte kaluar barrën e provës për disa prej pasurive.
Por, pas shqyrtimit të dosjes në fund komisioni i vettingut ka vendosur që ta konfirmojë në detyrë Selitën, që ka rezultuar i pastër në të tre shtylla e vlerësimit. Trupa gjykuese e KPK për këtë çështje përbëhej nga Olsi Komiçi kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Kijlstra.