KQZ i përgjigjet Metës: Në Kuvend janë 122 deputetë me mandat

AKTUALITET


Komisioni Qendror Zgjedhor i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës së Presidentit Meta për të ditur se sa është numri i deputetëve në Kuvend.

KQZ i ka kthyer përgjigje, e cila është firmosur si nga kryetari Klement Zguri ashtu edhe nga nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, duke thënë se në Kuvend aktualisht janë 122 deputetë të mandatuar.

Bashkëngjitur me përgjigjen KQZ i ka dërguar presidentit edhe listën emërore të deputetëve sipas qarqeve dhe subjekteve partiake, të cilave ata i përkasin.

Presidenti kërkoi zyrtarisht pak ditë më parë që të informohej nga KQZ mbi numrin e deputetëve në Kuvend. Kjo u pa si një lëvizje e tij drejt shpërndarjes së Kuvendit. Kjo për faktin se sipas Kushtetitës Kuvendi duhet të ketë 140 deputetë dhe aktualisht janë 18 deputetë që mungojnë.

Por gjithsesi në bazë të Kushtetutës presidenti nuk ka të drejtë ta shpërndajë Kuvendin për këtë arsye, pasi nuk ka një dispozitë të tillë. Në Kushtetutë parashikohen qartë vetëm dy raste në të cilat shpërndahen kuvendi dhe që lidhen me pamundësinë e tij për të zgjedhur një kryeministër të ri.



Skip to toolbar