“Ne shpresonim t’i gjenim të gjallë, shpresojmë kështu gjithmonë dhe në çdo situatë dhe nuk mendojmë kurrë ndryshe. Por këtë radhë nuk ndodhi kështu. I gjetëm të vdekur, nënën me tre fëmijë, të gjithë të përqafuar”.
Një rrëfim rrëqethës ky i kreut të ekipit italian të shpëtimit, Nicola Ciannelli, të cilët punuan për nxjerrjen e anëtarëve të familjes Lala nga rrënojat e vilës në Durrës.
Ai rrëfen momentin e vështirë sesi ekipi i shpëtimit gjetën Marjana Lalën nën rrënoja të përqafuar në të njëjtin shtrat me 3 fëmijët e saj të mitur.
“Ishte një moment i tmerrshëm për të gjithë ne. Jemi prindër dhe kur e gjen veten para fëmijëve në këtë situatë, të duhet guxim jashtë mase i madh që të mund të vazhdosh më tej. Edhe juve si popull ju duhet një guxim i madh për të vazhduar më tej”, thotë Nicola.
I vetmi i mbijetuar nga familja lala është 17 vjeçari Ramë Lala i cili doli i gjallë nga rrënojat e vilës dhe është dërguar për mjekim të specializuar në Itali.