I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka dëshmuar ditën e sotme në GJKKO lidhur me dosjen “Plumbi i Artë”.
Gjatë dëshmisë së tij, janë krijuar tensione në sallë. Të akuzuarit e SPAK, kanë kundërshtuar Dumanin dhe i janë kundërvënë duke krijuar tensione.
Bashkëpunëtori i drejtësisë ka folur para gjykatës për grabitjet e kambistëve në Elbasan, Kavajë e Durrës me Talo Çelën, Ilirjan Feçin, Gentian Sharrën.
“Tek grabitja në Kavajë, Talo i ra me levë në kokë kambistit, atij iu thye nofulla nuk fliste dot, morëm çantën u larguam, ndamë lekët pastaj diku tek 20 milionë. Në 2012 Ardian Ozunit “çufit”, i shita një snajper. Henrik Hoxha më tregoi për atentatin ndaj Filip Gjeloshit që ishte paguar fillimisht 5 mijë euro nga Ardian Ozuni”, ka deklaruar Nuredin Dumani.
Pas fjalëve të Dumanit, të akuzuarit nga SPAK i janë kundërvënë bashkëpunëtorit të drejtësisë duke ndërprerë dëshminë. Kjo detyroi gjykatën të ndërpresë për disa minuta seancën. Një nga të akuzuarit e SPAK, Petrit Qoli mësohet se e ka shpërthyer në ofendime ndaj Dumanit.
“Nuredin Dumani është krijesa më e shpifur njerëzore që kam njohur ne 53 vitet e jetës sime“, mësohet të ketë thënë Qoli.