Motivi i vrasjes që tronditi Librazhdin mbrëmjen e së premtes, ku Daut Gjokola, 53 vjeç masakroi me thikë gruan e tij Luljeta Gjokola, 49 vjeçe, dhe më pas u vetëvra duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit, mbetet ende një mister për grupin hetimor, ndërsa këtë çështje më shumës e të gjithë po e vuan djali i viktimave, i cili është në gjendje të rëndë psikologjike dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QSUT që prej pasdites së të shtunës.
Djali i çiftit i rreth moshës 27 vjeç gjeti nënën e tij të masakruar me thikë nga babai. Ai ka tentuar të ndërhyjë me shpejtësi por ka qenë e kotë, ndërsa në gjendje të rënduar është drejtuar për ndihmë te fqinjët, por i ka rënë të fikët. Ai mund të jetë një nga personat që të hedhë dritë mbi këtë krim të rëndë në familje, por dëshmia e tij ende nuk mund të merret plotësisht në konsideratë nga grupi hetimor, derisa të qetësohet gjendja e tij psikologjike dhe shëndetësore.
Natën e krimit, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes për të arrestuar burrin që kishte vrarë të shoqen, por në momentin që po prisnin për të ardhur grupi për ta shoqëruar, Daut Gjokola u ka shpëtuar duke u hedhur nga ballkoni i apartamentit me pranga në duar duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ceremonia e varrimit e përbashkët u zhvillua të shtunën në mesditë dhe të dy do të prehen në varrezat e qytetit.
Çifti Gjokola la pas dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë 27 dhe 23 vjeç. Familja Gjokola me katër anëtarë kishte një biznes të vogël, ndërsa njiheshin si njerëz të qetë dhe të rregullt. 12 vite më parë Daut Gjokola ka qenë kryetar i këshillit bashkiak në Librazhd i zgjedhur nga partitë e djathta, në kohën kur bashkia drejtohej nga Shaqir Kuka, prej vitesh nuk merrej me politikë por ishte pronar i një agjencie udhëtimesh në qendër të qytetit, e cila i siguronte jetesë normale.