Ndërsa deri dje nga selia blu të gjithë sytë ishin kthyer nga Gjermania për gjetjen e një zgjidhje për krizën në vend, të martën (sot) kreu i PD-së, Basha thotë se “zgjidhja nuk do të vijë nga jashtë, por nga brenda”. Pas kritikave që mori nga SHBA për protestat e dhunshme me molotov, Basha dhe PD shpresoi se Gjermania do të ndërhynte për të ulur palët në një tryezë dialogu. Por duket se Basha nuk heq dorë nga kushtet e tij, pasi i bie të shkelmojë aksionin 6 mujor të opozitës, ndaj dhe një tryezë dialogu me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, me Ramën kryeministër, duket i pamundur për të.
Ndaj dhe Basha i është kthyer sërish Voltanës, të cilën e braktisi gjatë verës, ashtu siç braktisi të gjithë kryetarët e djathtë të bashkive në ikje, që u kishte premtuar se nuk do të kishte zgjedhje dhe pas 30 qershorit i la të vetëm në luftën e tyre, duke u tërhequr edhe për shkak të paralajmërimit të fortë amerikan, që do e fuste PD-në në listën e zezë të organizatave të dhunshme, nëse nuk lejonte zhvillimin e zgjedhjeve.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka lënë zyrën të martën dhe ka vizituar Shkodrën ku ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë atje dhe i është gjendur në krah Voltana Ademit, qëndrestares më të madhe të kauzës së PD-së për të mbrojtur me çdo kusht bashkitë e djathta.
Basha u shpreh për mediat se “është përgjegjësi e PD-së dhe e partive aleate që të gjejnë zgjidhje për krizën”, ndërsa bëri me dije se shumë shpejt do të prezantojë një platformë për daljen nga kriza.
Ai tha se zgjidhja e krizës do të vijë nga brenda dhe jo nga jashtë, pra jo nga ndërkombëtarët, ndërsa iu shmang pyetjes së përsëritur të gazetarëve nëse do të ketë një tryezë dialogu me Ramën. U mjaftua duke thënë: mos u merrni me propagandën e qeverisë.
Basha deklaroi se zgjidhja e krizës do të vijë përmes një procesi zgjedhor, por theksoi se s’mund të ketë zgjedhje pa ndarë më parë qeverisjen nga krimi. Në këtë kuadër ai hodhi akuza kundër Ramës.
“Edi Rama dhe qeveria nuk kanë përgjigje për vendin dhe as për Shkodrën. Vendi ndodhet në udhëtim delikat dhe kritik. Ndaj ne si opozitë, PD dhe aleatët, të bashkuar, kemi sot përgjegjësinë që t’i japim shqiptarëve zgjidhjen që e meritojnë. Kriza është prodhuar nga bashkëpunimi i politikës me krimin dhe ajo mund të zgjidhet duke e ndarë atë nga krimi. Proces zgjedhor pa garancinë se qytetarët nuk do të dhunohen, pa një transformim të thellë, nuk mund të ketë. Do të vazhdojmë betejën deri në fund për të çliruar Shqipërinë nga politika e lidhur me krimin. Ky është qëllim që bashkon gjithë shqiptarët e ndershëm. As Rama e as organizata e tij kriminale nuk kanë as përgjigje dhe as zgjidhje për Valdrin Pjetrin, Kajmakun, apo Babanin. S’ka zgjidhje nga jashtë. Zgjidhja do të vijë nga brenda. Jashtë kemi pasur miq, por kjo krizë nuk zgjidhet duke bërë viktimë apo duke parë nga qielli. Zgjidhet duke marrë në dorë fatet tona”, tha Basha.
Pra siç duket pjesë e platformës së PD-së do të jetë kërkesa për dialog me kushte me qeverinë, por jo takim Rama-Basha me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, gjë të cilën edhe Berisha ia bëri të qartë Bashës se nuk do ta pranonte në asnjë mënyrë. Por edhe aleatët dhe figurat e lëvizjes “Basha IK” në PD e kanë cilësuar si një hap të gabuar nëse ndërmerrej prej tij. Në një koment të mëhershëm Edvin Kulluri shkruante se një tryezë e Bashës me Ramën nuk e nxjerr PD-në nga gremina ku ka rënë, duke u shprehur kundër kësaj nisme. Siç duket kreu i PD-së i ka dëgjuar këtë herë kritikët, ndoshta për faktin për të mbrojtur veten përballë të vetëve.
Megjithatë, duke parë afrimin e radhës së Bashës me kryebashkiaken në detyrë Voltana Ademi, kjo duket se do e drejtojë sërish Bashën në skenarët e protestave, edhe për faktin se kryebashkiakja e Shkodrës ishte një ndër protagonistët e kundërshtimit me forcë të zgjedhjeve të 30 qershorit, duke u bërë pengesë, jo vetëm për institucionet arsimore për ditën e zgjedhjeve, por edhe për protestat me molotov, gjatë të cilave u dogj edhe një shkollë. /Realstory.al