Kryeministri Rama e ka cilësuar artificiale krizën politike në Shqipëri, të krijuar sipas tij, nga frika nga Drejtësia. Në takimin ku do të prezantojë platformën ligjore Anti-KÇK, kryeministri Rama tha se kriza e krijuar nga frika e Reformës në Drejtësi kulmoi me refuzimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Rama e cilësoi këtë vit qeverisës si ndër më të vështirët, ndërsa komentoi edhe vendimin për mos çeljen e negociatave për të cilin tha se ka lidhje me konfliktin e brendshëm të BE-së.
“Duke e nisur nga një moment kyç në historinë tonë të përbashkët, momenti i mos marrjes së një vendimi, apo refuzimi i çeljes së negociatave me BE, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për të gjithë është e qartë se ky ka qenë një vit i vështirë. Posaçërisht i vështirë. Nuk e teproj nëse them se në këto 6 vite, ky vit ka qenë më i vështiri. Një vit i karakterizuar nga një përplasje e vazhdueshme për të krijuar një situatë krize të thellë me mjete artificiale të politikës dhe për të shtrënguar të gjithë bashkësinë tonë brenda një rrethi vicioz.
Përplasje që ka karakterizuar të gjithë gjysmën e parë të vitit. Nuk ka asnjë dyshim për sa më takon dhe këtë e ndaj me shumicën e njerëzve të këtij vendi që në themel të asaj përpjekje ka qenë frika nga drejtësia. E lidhur me mundësinë reale të çeljes së negociatave, pas të cilave dihet se vjen një proces serioz për vendin për efektivitetin e sistemit ë drejtësisë. Këtu është fjala për Shqipërinë, kjo do të thotë dhënia e provave konkrete rreth faktit se reforma në drejtësi, bagazhi ligjor korrespondon me kapacitetin e reformës në drejtësi.
Adresim i korrupsionit deri në nivelet më të larta, kjo ka qenë në themel të gjithë asaj përpjekje që kulmoi me një situatë absurde dhe surreale në procesin zgjedhor. Ne i bëmë të gjitha përpjekjet me angazhimin më të madh me mundim të posaçëm për të komunikuar dhe balancuar të gjithë efektin e baltës së hedhur ndërkombëtarisht për vendin tonë. Duke nisur nga një vend që është kyç, që është Gjermania. Ku për hir të së vërtetës marrëdhëniet ndërpartiake, na kishin krijuar një barrierë domethënëse. Besoj që fakti që Gjermania konkludio në një “Po” të Bundestagut, është provë që përpjekjet tona rezultuan të suksesshme”, -tha Rama.