Për herë të parë, dy drejtuesit e emisioneve më kryesore politike në vend, Sokol Balla dhe Blendi Fevziu kanë pranuar të përballin qëndrimet e tyre në një studio, që nuk është as Real Story dhe as Opinion. Balla dhe Fevziu janë të ftuarit e parë të programit më të ri televiziv, “Cim Peka live në Syri Tv”, i cili do të transmetohet sonte në orën 21:00.
Sokol Balla dhe Blendi Fevziu do të jenë sonte në një përballje që nuk duhet humbur, ku dy gazetarët do të japin qëndrimet e tyre mbi situatën politike në Shqipëri, e cila ka hyrë në një krizë të thellë me opozitën nga njëra anë që ka hyrë në muajin e pestë të protestave dhe me mazhorancën në anën tjetër, e cila ka nisur fushatën elektorale të 30 qershorit.
A po shkojnë palët drejt përplasjes së pashmangshme apo timonieri i madh do ta ndryshojë qëndrimin në momentin e fundit? Si u lexua deklarata paralajmëruese e Bashës në protestën e fundit, kur ai deklaroi se koha për fjalët po mbaron dhe në protestën e ardhshme, fjalën do ta ketë vetëm sovrani? A do të vijojnë ndërkombëtarët të qëndrojnë në pozitat e tyre kritike ndaj opozitës, apo heshtja e tyre nënkupton se palët duhet të kthehen në dialog. Këto do të jenë disa nga pyetjet, për të cilat sonte do japin këndvështrimet e tyre dy gazetarët e njohur.
Emisionin me përballjen e dy gazetarëve të njohur mund ta ndiqni live edhe në www.realstory.al dhe në facebook.com/realstory.al/.