Gazetari Aleksandër Furxhi dhe analisti Eduard Zaloshnja kanë deklaruar në Real Story se faktet për të shkuarën kriminale të kryebashkiakëve do të ndikojnë në votat përballë elektoratit.
Gazetari i njohur Furxhi thotë se tashmë opinioni publik e ka të qartë që këta kryebashkiakë kanë gënjyer, dhe jo vetëm, por kanë lënë njollë të zezë në PS, në një kohë kur partia mund të zgjidhte kandidatë dhe t’i kontrollonte edhe për të shkuarën e tyre.
”Ka një përgjegjësi të madhe morale se në kushtet e një gare kishte mundësi të zgjidhte kandidatë dhe t’i bënte screening. Opinioni publik e ka të qartë që këta kanë gënjyer. Kanë menduar se do të mbulohen. PS do ta paguajë nesër me vota përballë elektoratit. Në 61 njerëz edhe pse dihet që ka ndërmarrë një aksion për vettingun e individëve, përsëri këta individë kalojnë dhe i lënë një njollë PS-së. Secili prej tyre do shkojë në gjyq. E rëndësishme është që kjo provë ose këto zgjedhje pas 5 vitesh ligj të dekriminalizimit, erdhi koha që këta njerëz të marrin fund së drejtuari shoqërinë. I ka ardhur fundi. Nuk mund të shohin më njerëzit në krye njerëz me të shkuar të dyshimtë”, thotë Furxhi.
Ndërsa analisti Eduard Zaloshnja thekson se nëse shtohen rastet e kryebashkiakëve të akuzuar si ata të Shkodrës, Vorës apo dhe të Vaut të Dejës, atëherë Rama do të paguajë kosto politike.
‘’Mos mendojmë që ligji mund të çrrënjosë një fenomen që ka filluar që në ‘97 me bandat e Vlorës, Tiranës etj., të fortët që ndihmuan politikanët për vota. Dhe tani bëhen pjesë e përbashkët, persona të tillë që bëhen kryebashkiakë apo deputetë. Këta s’mund të shkulen menjëherë dhe shumë njerëz do të kenë frikë të kandidojnë se kanë bërë më parë një vepër penale. Gjithmonë ai që ka qenë në pushtet ka dashur të abuzojë me ligjin, pra opozita është më e kujdesshme me ligjin se nuk e ka pushtetin. Opozitës i ka dhënë një armë në dorë ky ligj, në këtë sens do s’do ligjit do ia shohim rezultatin. Ramës nëse i dalin dhe 6 të tjerë do paguaj kosto politike. Sa më shumë raste të tilla të zbulojë opozita me median, aq më i kujdesshëm do jetë nesër Basha me Ramën”, tha Zaloshnja.