Kryemadhi nis “fushatën”, apel shqiptarëve: Nga SHBA e Australia, bashkohuni me LSI

AKTUALITET


Lëvizja Socialiste për Integrim e ka nisur vitin e ri me Konventën e Tiranës, nga ku kryetarja e partisë Monika Kryemadhi shpalosi fushatën e re të partisë që do të jetë ajo e dyerve të hapura për cilindo që do t’i bashkohet LSI-së, për të gjithë shqiptarët nga Evropa, SHBA dhe madje edhe nga Australia e largët. “Dekada e Shpresës dhe Ndryshimit”, është quajtur kjo dekadë nga kryetarja e LSI-së e cila tha se partia ka nevojë për ide dhe energji të re. “Sot unë dua të shpalos fushatën e dyerve te hapura të LSI në të gjithë Shqipërinë, por jo vetëm, edhe në Europë, edhe në SHBA, Australi dhe kudo. Kam besuar gjithmonë se politika më e mirë, mesazhi më i mirë për sot dhe për nesër është një shans për të gjithë! Të gjithë e kujtojnë që kjo ishte dhe kredoja jonë në fushatën e vitit 2017. Sfida një shans për të gjithë vazhdon dhe një shans për të gjithë në LSI do të thotë që gjithkush mund të kontribuojë, gjithkush mund të kandidojë, gjithkush mund të shprehë lirisht idetë e reja, gjithkush mund të garojë dhe të fitojë. Po krijohet rrjeti i miqve të LSI-në në Europë dhe SHBA. LSI ka nevojë energji të reja dhe ide të reja” tha Kryemadhi.

2020, vijoi më tej Kryemadhi, do të jetë viti i rezistencës dhe rrëzimit të qeverisë Rama dhe zgjidhja sipas saj vjen nga programi i opozitës së bashkuar. “Viti që sapo kemi hyrë, 2020, do të jetë viti i rezistencës dhe fitores së padiskutueshme në përballjen tonë me klanin e tradhtarë të interesave kombëtare, me grupet e hajdutëve të votave, me uzurpatorët dhe shkatërruesit e ekonomisë së vendit, me krimin që ka fytyrën e Rilindjes sepse ne sot jemi shumica absolute e padiskutueshme e shqiptarëve. Kjo sëmundje e rëndë po e gërryen, po e asfikson, po i merr frymën, po e mpak dhe po e mplak Shqipërinë. Ndaj është detyrë patriotike e çdo shqiptari për të kontribuar në shërimin e kësaj të keqeje”, tha Kryemadhi e cila theksoi se opozita tashmë është në shumicë dhe do ta shpëtojë Shqipërinë nga “sëmundja e Rilindjes”.

Kryemadhi tha se sot LSI-ja do të rifillojë aksionin politik, por nuk dha detaje se si do të veprojnë kundër shumicës.  Ajo akuzoi Ramën për kapjen e institucioneve të drejtësisë si dhe për mos hapjen e negociatave nga BE. “Evropa nuk i tha JO shqiptarëve, por autokratit Edi Rama. 9 kushtet që Bundestagu i vuri Shqipërisë janë shumë të qarta. LSI dhe opozita e bashkuar ka patur gjithnjë gatishmërinë për të realizuar të gjitha kushtet që kanë të bëjnë me hapjen e negociatave. Por, si gjithmonë, ka vetëm një person që nuk e do hapjen e negociatave; dhe ky është Edi Rama, i cili nuk do që të ketë më shumë BE në Shqipëri, se kështu merr fund uzurpimi i pushtetit dhe vjedhja qe i bën shqiptarëve. Boja i ka dalë edhe fasadës së premtimeve te tij tek ndërkombëtarët për reformë elektorale, të cilën po bën çmos për ta zvarritur për ta shtyrë, sepse e di se pa reformë, nuk mund të ketë zgjedhje, dhe zgjedhjet janë tmerri i tij”, tha Kryemadhi.



Skip to toolbar