Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka komentuar vendimin e BE për mos hapjen e negociatave dhe përgjegjës për këtë bën kryeministrin Rama. Sipas Kryemadhit Europa i do shqiptarët dhe Shqipërinë por e ardhmja e vendit po mbahet peng nga Rama. Ajo i bën thirrje kryeministrit që të reflektojë dhe të japë dorëheqjen.
“Të gjithë shqiptarët kanë kuptuar shumë qartë se me Edi Ramën, bashkimi me BE-në është një objektiv i pamundur, një ëndërr e parealizueshme për ta. Shqipëria s’është dhe s’mund të jetë kurrë peng i tij, dhe dorëheqja e tij është reflektimi më i pakët për përgjegjësinë e rëndë politike që rëndon mbi kryeministrin”, është shprehur Kryemadhi.
Sipas saj shkak për mos hapjen e negociatave është mungesa e demokracisë dhe vota e lirë.
“BE tregoi qartë se rrënimi i themelit të demokracisë në Shqipëri, që është vota e lirë dhe e ndershme, shitblerja dhe kriminalizimi i saj, ku autori i vetëm është Edi Rama, dhe kjo që tashmë është reflektuar edhe në kushtet që janë bërë publike, kushte që tregojnë dhe rrugën me të cilën do të dalë Shqipëria nga kriza për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian.
I vetmi kryeministër në Europë i cili quan normalitet bashkëjetesën me kriminelët dhe grabitësit e pronës publike dhe votës së shqiptarëve, është Edi Rama.
BE refuzoi një qëndrim të tillë dhe u tregoi shqiptarëve se duhet të çlirohen nga kapja kriminale e shtetit të së drejtës, e qeverisë, e demokracisë dhe e lirive të tyre, autori i të cilave është kryeministri i vendit tonë, Edi Rama.
Korrupsioni, trafiku i drogës, pastrimi i parave, koncesionet grabitqare, dhunimi i pronës publike dhe private, kapja e drejtësisë, janë ato që e mbajnë larg dhe peng Shqipërinë nga Europa dhe përgjegjësi i vetëm për këto plagë të thella dhe për këtë pengesë që i bëhet rrugës europiane të Shqipërisë, është një dhe vetëm një, kryeministri Rama.
Dështimi i Edi Ramës është individual, është personal, është i fokusuar vetëm te ai sepse ai zgjodhi që të ndërtojë të ardhmen e tij mbi atë të shqiptarëve, të pasurohet në kurriz të shqiptarëve duke i varfëruar ata, zgjodhi ti grabisë ata, zgjodhi tu prishë qetësinë familjare atyre, zgjodhi që të detyroi me qindra dhe mijëra shqiptarë që të largohen nga Shqipëria, për shkak të tokës së djegur që ndërtoi Edi Rama”, është shprehur Kryemadhi. Në përfundim ajo se do të punojë për të bindur miqtë tanë në Europë dhe botë sesa e rëndësishme është Europa për shqiptarët.