Kryeministri maqedonas, takon familjen shqiptare në SHBA: Janë shembull suksesi!

BOTA


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka surprizuar jo pak, teksa gjatë vizitës në SHBA ka zgjedhur të takojë një familje shqiptare për të treguar një shembull suksesi të qytetarëve nga vendi i tij që kanë emigruar jashtë vendit.

Mickoski ka zhvilluar një takim me familjen Rusi, të cilët janë me prejardhje nga Dibra dhe prej vitesh jetojnë e punojnë në SHBA.

“Në kuadër të vizitës sime në SHBA, unë dhe kolegët e mi u takuam me familjen Rusi, një familje e njohur shqiptare nga Dibra, e cila prej disa brezash jeton dhe punon në SHBA. Ata janë shembull i shqiptarëve të suksesshëm nga Maqedonia që nuk e kanë harruar atdheun e tyre dhe duan të ndihmojnë përparimin e tij”, shprehet Mickoski.

Kryeministri i RMV-së shkruan në Facebook se me familjen Rusi kanë diskutuar për mundësitë për forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe Maqedonisë, si dhe për projekte që do të sjellin përfitime për të gjithë qytetarët.

“Diskutuam për mundësitë për forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe Maqedonisë, si dhe për projekte që do të sjellin përfitime për të gjithë qytetarët. Besoj se vetëm të gjithë së bashku, pavarësisht nga përkatësia etnike, mund të punojmë së bashku për të ndërtuar një Maqedoni stabile dhe të begatë. Ne kemi nevojë për të gjithë ata që mund të kontribuojnë, si në vendlindje ashtu edhe nga diaspora, për të krijuar të ardhmen që meritojmë”, shkruan kryeministri i RMV.



Skip to toolbar