Gara për Kryeprokuror e hapur ditën e mërkurë ka qenë pjesë e debatit në emisionin “Real Story” . Arta Marku, Olsian Çela dhe Fatjona Memçaj janë 3 kandidatët që garojë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Mirëpo a do mundet dot Arta Marku të konfirmohet nga e përkohshme në të “përhershme”? Për analistët e ftuar në studion e ‘Real Story’ kjo ka pak shanse dhe se dështimi i saj për të kryer arrestimet e ‘peshqve të mëdhenj” mund ta penalizojë atë. Për Skënder Minxhozin, Arion Sulon, Mira Kazhanin dhe Klodiana Lalën, Arta Marku i ka humbur shanset për t’u rizgjedhur kryeprokurore.
Për Skënder Minxhozin Marku u vetëprojektua si një zyrtare që më shumë do të mbante zyrën hapur në pritje të SPAK dhe BKH dhe nuk ka shanse që të zgjidhet sërish. “Arta Marku u vetëprojektua si një zyrtare që më shumë do të mbante zyrën hapur në pritje të SPAK dhe BKH. Dakord që nuk kishte një bilanc. Nuk mendoj që ajo ka më shanse. Unë nuk mendoj se Marku sot ka shanse të barabarta me dy kandidatët e tjerë. Mua më pëlqeu Olsjan Çela, por Marku s’ka shanse të zgjidhet.”
Edhe gazetarja Klodiana Lala tha se Marku erdhi si një fytyrë e re por që nuk arrit të përmbushte asnjë nga detyrat. “Arta Marku erdhi si një fytyrë e re dhe e pa përfshirë dhe kam thënë që duhet t’i japim kohë. Në seancë sot, pash një Arta Marku që u mundua të justifikohej mos përmbushjen e detyrave përpara publikut. Marku, që kur nisi të prezantohej, nisi me një gabim shumë të madh, e nisi me shprehjen ‘duke parë e duke bërë’ dhe që këtu e humbi shansin. Ajo nuk e ka staturën për të qenë prokuror i përgjithshëm. Fatjona Memcaj ka punuar si Drejtore Juridike e Presidentit Nishani dhe për këtë arsye shumë njerëz e shohin me syrin skeptik.”
Ndërsa për analistin Arion Sulo nuk ka logjikë që Marku të rikandidojë, pasi ajo ka 8 muaj që bën fushatë elektorale për t’u zgjedhur. ‘Pse Arta Marku rikandidon? Është alogjike. Ka tetë muaj që bën fushatë. E ka bërë fushatën elektorale propagandë për t’u zgjedhur. Kur ka dalë Arta Marku në një intervistë, përveçse kur u hap gara. Marku ka marrë mbështetje nga mazhoranca, për shërbimet që i ka bërë. Do shpërblehet Marku, ndaj i thuhet shko në zgjedhje”.