Pak ditë pas zgjedhjes së Olsian Çelës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, ky institucion ka caktuar edhe zëvendësin e tij, funksion i cili i është besuar Thoma Janos.
Numri dy i prokurorisë së përgjithshme, Thoma Jano, ka prekur kupolën e Prokurorisë, pas vitit 1997, kur punoi si kreu i prokurorisë së Tiranës, gjatë kohës që organi i akuzës drejtohej nga Arben Rakipi.
Në kohën e qeverisë së Fatos Nanos, Jano u emërua zëvendësministër i Rendit Publik për të drejtuar sektorin e hetimeve. Dhe në kohën kur Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Theodhori Sollaku dhe Ina Rama, Jano ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, kurse më vonë ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, e emëroi Janon në sektorin e përgjimeve, funksion që e mbante deri në momentin e zgjedhjes së tij si zëvendësprokuror i përgjithshëm. Herën e fundit që Jano është parë në publik ishte në krah të Arta Markut, kur Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme raportonte në Kuvend shifrat e kriminalitetit dhe statistikat e organit të akuzës. Pas vendimit për zgjedhjen e Janos si numri dy i Prokurorisë së Përgjithshme, kryeprokurori Çela deklaroi se sfida jonë për vitin 2020 është lufta për hetimin për pastrim parash. Po ashtu, ai se tha se gjatë këtij viti do “dixhitalizojmë dosjet hetimore, ulim kostot e rrisim eficencën”.
Gjithsesi, muaji dhjetor i këtij viti ka qenë një muaj intensiv për organet e reja të drejtësisë. Pas zgjedhjes së Olsian Çelës në krye të Prokurorisë, procesi nisi me betimin e tetë prokurorëve të SPAK si dhe me zgjedhjen e Arben Krajës, si drejtues i këtij institucioni, ndërsa emri i tij u shigjetua nga politika duke e kategorizuar atë si një ish-hetues i komunizmit.