Udhëheqësja e opozitës iraniane Maryam Rajavi ka qenë e pranishme në kremtimet e Krishtlindjes në Arqipeshkvinë Metropolitane mbrëmjen e 24 dhjetorit, prania e të cilës u përshëndet edhe nga Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, George Antonio Frendo.
“Jam i lumtur që ju shoh mes nesh. Jemi të nderuar nga prania juaj në këtë kremtim madhështor. Ju përshëndes znj. Rajavi, që përfaqësoni komunitetin iranian në vendin tonë. Lutemi për njerëzit në vendin tuaj, të cilët janë të shtypur, dhe durojnë dhimbjen e vuajtjen” është shprehur Arqipeshkvit Frendo.
Kryetarja e MEK, Rajavi i shprehu mirënjohjen Arqipeshkvit Frendo, dhe i dhuroi një libër që përmban listën e 20,000 martirëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit. Ajo tha se populli iranian po paguan çmimin më të rëndë të mundshëm në luftën e tij për ta hequr qafe fashizmin fetar që sundon Iranin. Znj. Rajavi shprehu shpresën e saj se në Iranin e së ardhmes, të gjithë sektorët e shoqërisë iraniane, pavarësisht feve dhe traditave të tyre, apo etnive dhe kombësive, do të jetojnë krah për krah në liri e barazi.