Kthesa e luftës për Kosovën/ 27 vjet nga bombardimet e NATO, që ndalën genocidin serb

KOSOVA


24 marsi shënon kthesën e madhe të historisë së Kosovës dhe luftës së saj për pavarësi. 27 vite më parë filluan goditjet ajrore të NATO-s kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Sulmet filluan në orën 19:45, kur aeroplanët e Aleancës ushtarake lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e dha presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”-nënvizoj presidenti amerikan përpara botës, që filloj të dëgjonte për një vend të vogël që po luftonte për liri.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe vijuan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat pushtuese filluan ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Ndërhyrja e 24 marsit njihet ndryshe në histrori si aksioni i parë ushtarake i NATO-s që nga formimi i saj.

Fushata ajrore e NATO-s kishte për qëllim ndalimin e dhunës dhe spastrimit etnik në Kosovë, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e konfliktit.

Gjatë kësaj periudhe, mijëra civilë shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre, ndërsa shumë të tjerë u vranë ose u zhdukën si pasojë e operacioneve të forcave serbe.

Ndërhyrja e NATO-s u pasua me vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë dhe praninë e forcave paqeruajtëse, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon.

Politika në Kosovë dhe Shqipëri ka përkujtuar këtë datë, ndërsa presidenti Begaj shpreh edhe njeherë mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.



Skip to toolbar