Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla në qytetin e Fierit.
Policia ka proceduar penalisht dhe shpallur në kërkim pronarin e një lokali pasi përshtaste lokalin për përdorim droge. Sekuestrohen 11 doza me lëndë narkotike kokainë dhe 3 doza cannabis sativa, arrestohen 2 poseduesit e lëndës narkotike.
Gjithashtu ndëshkohen me masë administrative 10.000 lekë, 10 shtetas që u konstatuan në lokal pas orës 22:00, dhe me masë administrative 1.000.000 lekë pronari i lokalit.
NJOFTIMI I PLOTË
Shërbimet e Policisë Fier, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe në vijim të kontrolleve të ushtruara për subjektet që ushtrojnë aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ, gjatë mbrëmjes së djeshme, në fshatin Kurjan, Roskovec, konstatuan të hapur lokalin në pronësi të shtetasit R. B.
Në ambientet e lokalit ndodheshin 10 shtetas të cilët u gjobitën secili me masë administrative 10.000 lekë.
Gjatë kontrollit të lokalit, u gjetën 11 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe 3 doza lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan poseduesit e lëndës narkotike, shtetasit:
E. F., 36 vjeç, banues në Patos dhe A. T., 24 vjeçe, banuese në Patos.
Gjithashtu u procedua penalisht dhe u shpall në kërkim pronari i lokalit, shtetasi R. B., 49 vjeç, banues në Kurjan, Roskovec, për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme procedurale.