Kufi moshe për rrjetet sociale/ Indonezia diskuton kufizimin, gjysma e fëmijëve nën 12 vjeç kanë llogari

BOTA


Indonezia bëhet vendi i radhës që planifikon të vendosë një kufi moshe për përdorimin e mediave sociale, me qëllim mbrojtjen e fëmijëve.

Ministrja e komunikimit Meutya Hafid nuk tha se cila do të ishte mosha minimale, por planin e ka diskutuar me Presidentin Prabowo Subianto.

Ky i fundit tha dritën jeshile dhe ofroi mbështetjen për të vazhduar me planin.

Mbulimi i internetit në Indonezi, një vend me rreth 280 milionë banorë, arriti në 79.5% vitin e kaluar, sipas një sondazhi me 8,700 njerëz nga shoqata e ofruesve të shërbimeve të internetit në Indonezi.

Sipas sondazhit, 48% e fëmijeve nën 12 vjeç kanë akses në internet dhe disa të anketuar të kësaj grupmoshe përdorin Facebook, Instagram dhe TikTok.

Planet pasojnë vendimin e Australisë për të ndaluar fëmijët nën 16 vjeç nga aksesi në mediat sociale, me gjoba për gjigantët e teknologjisë si Meta që ka në pronësi Facebook dhe Instagram, deri te TikTok, nëse ata nuk arrijnë të parandalojnë fëmijët të hyjnë në platformat e tyre.

Një vend tjetër që po shqyrton vendosjen e kufi moshe për përdorimin e rrjeteve sociale është edhe Suedia, nëse kompanitë e teknologjisë nuk janë të afta që të ndalojnë bandat të rekrutojnë adoleshentë nëpërmjet këtyre platformave.

Ndërkohë Shqipëria bllokoi përdorimin e TikTok për të paktën një vit, pasi platforma u ndikoi negativisht te të rinjtë dhe dhe nxiti sjellje të dhunshme.

Edhe Franca, Belgjika dhe Gjermania në Europë, zbatojnë kufizime për përdorimin e këtyre platformave nga fëmijët.



Skip to toolbar