The Economist
Vetëm tri ditë pasi luftëtarët e Hamasit kaluan kufirin e Rripit të Gazës, duke vrarë më shumë se 1400 izraelitë dhe duke rrëmbyer rreth 220 të tjerë, aeroplanmbajtësja më moderne amerikane Gerald R. Ford, mbërriti në Mesdheun Lindor, e shoqëruar nga një flotë anijesh luftarake.
Një grup i dytë anijesh luftarake amerikane, të udhëhequra nga aeroplanmbajtësja Dwight D. Eisenhower, po lundrojnë në Lindjen e Mesme, me sa duket për t’iu afruar Iranit.
Në rajon, po dërgohen gjithashtu avionë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore dhe po bëhen përgatitje për dërgimin e trupave.
Këto veprime tregojnë shpejtësinë dhe shkallën e jashtëzakonshme me të cilën Amerika mund të zhvendosë fuqinë ushtarake larg atdheut. Me këtë shfaqje force, ajo ka për qëllim të përcjellë dy mesazhe: të paralajmërojë Iranin që të mos fusë hundët dhe t’i tregojë Izraelit se nuk është vetëm.
Forcat amerikane mund të marrin urdhër për t’u hedhur në veprim, në rast se vërehen shenja se lufta mund të përhapet. Izraeli po përgatitet për një operacion tokësor; dhuna në Bregun Perëndimor po rritet dhe shkëmbimet e zjarrit me raketa dhe artileri midis Izraelit dhe Hizbullah-ut, një milici libaneze shiite që është aleate me Iranin, tregojnë se mund të krijohet një front i dytë lufte (shih hartën).
Më 22 tetor, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, paralajmëroi se “ka mundësi për një përshkallëzim të madh të luftës”. Tri ditë më parë, një anije luftarake amerikane në Detin e Kuq, shkatërroi raketat dhe dronët që po shënjestronin Izraelin, të cilat vinin nga milicitë Houthi në Jemen, që janë të lidhura me Iranin.
Bazat amerikane në Irak dhe në Siri janë sulmuar nga raketa dhe dronë, që mendohet se vijnë gjithashtu nga njësi të lidhura me Iranin.
“Kjo është periudha më e rrezikshme që nga Lufta e Ftohtë”, thotë Matthew Kroenig në Këshillin Atlantik, institut kërkimor në Washington D. C. “Nëse Irani dhe Hizbullah-u do të përfshihen në luftë, Amerika mund të ndihet e detyruar të kundërpërgjigjet.
Po sikur kjo të nxisë Kinën të hidhet në veprim kundër Tajvanit?”
Në këtë mënyrë, duket se presidenti Joe Biden po kthehet në një president në kohë lufte. Ai nuk po e tepronte kur u tha amerikanëve në një fjalim të fundit televiziv, se bota ishte në një pikë kthese.
Kur Amerika nxitoi për të ndihmuar Ukrainën që t’i bënte qëndresë pushtimit rus, shumë pyetën nëse ajo kishte në dispozicion mjetet e nevojshme për të penguar edhe një sulm kinez kundër Tajvanit.
Kjo pyetje është edhe më e rëndësishme tani që Amerika kërkon të mbrojë edhe Izraelin. Sipas Biden-it, të ndihmosh miqtë nuk është vetëm e mundur, por edhe e domosdoshme. “Udhëheqja amerikane është ajo që e mban botën të bashkuar”, deklaroi ai. “Aleancat janë ato që na mbajnë edhe ne të sigurt”.
Megjithatë, akademikët po debatojnë nëse bota “njëpolare”, kur Amerika mbizotëroi si fuqi pas Luftës së Ftohtë, është kthyer tashmë në një botë “dypolare”, kur Amerika po sfidohet nga Kina dhe jo nga Bashkimi Sovjetik; apo edhe nëse është krijuar një botë “shumëpolare”.
Joseph Nye, një akademik i Harvardit, e përcaktoi fuqinë kombëtare në tre fusha: ushtarake, ekonomike dhe “fuqia e butë”, d.m.th, aftësia e një shteti për t’i bindur të tjerët ta mbështesin ose të ndjekin të njëjtën rrugë.
Në drejtimin ushtarak, Amerika mbetet një gjigant (shih grafikun). Ndërsa nga ana ekonomike, bota është dypolare në një mënyrë që nuk ka qenë kurrë gjatë Luftës së Ftohtë. Prodhimtaria ekonomike e Kinës është disi më e vogël se ajo e Amerikës në kursin e këmbimit të tregut, por Kina e ka tejkaluar për nga barazia e fuqisë blerëse (edhe pse amerikanët janë ende shumë më të pasur se kinezët).
Fuqia e butë është më e vështirë të matet, por ndoshta është e drejtë të thuhet se në këtë drejtim, bota është tashmë shumëpolare, thotë zoti Kroenig.
Sidoqoftë, në Lindjen e Mesme, Amerika është ende “kombi i domosdoshëm”, siç ka thënë ish-sekretarja e Shtetit Madeleine Albright. Amerika është i vetmi shtet i gatshëm dhe i aftë të shërbejë si ndërmjetës midis udhëheqësve rajonalë dhe të ndikojë në zhvillimin e ngjarjeve në këtë rajon.
Këtu përfshihet hapja e një korridori humanitar në Gaza (megjithëse ende i pamjaftueshëm). “Në Pekin nuk ra zilja e telefonit. Në Moskë nuk ra zilja e telefonit. Por në Uashington, ajo ka rënë pa pushim”, vëren Ivo Daalder, një ish-përfaqësues i Amerikës në NATO.
Pavarësisht rolit qendror të Amerikës, tre udhëheqësit arabë, mbreti Abdullah i Jordanisë, presidenti egjiptian Abdel-Fattah al-Sisi dhe ai palestinez Mahmoud Abbas, janë treguar të ftohtë ndaj zotit Biden. Ai duhej të takohej me ta në Aman më 18 tetor, pas vizitës në Izrael.
Por një ditë më parë, një shpërthim në një spital në Gaza vrau shumë, ndoshta disa qindra palestinezë. Palestinezët thonë se kjo masakër u shkaktua nga një sulm izraelit; Izraeli tha se kishte qenë një goditje e gabuar nga një raketë palestineze.
Biden besoi Izraelin dhe më vonë deklaroi me bindje se Izraeli nuk ishte përgjegjës për këtë sulm. Udhëheqësve arabë nuk u pëlqeu kjo gjë. Ata e anuluan samitin, ndërsa zoti Abbas shpalli tri ditë zie dhe u kthye në atdhe. Në atë çast, Amerika u duk si një fuqi jo e domosdoshme.
Ku mund të fillohet
Përparësia e zotit Biden si president në detyrë ka qenë rigjallërimi i ekonomisë amerikane. Ai ruajti politikën proteksioniste të paraardhësit Donald Trump dhe rriti subvencionet dhe politikat industriale për të nxitur teknologjinë e gjelbër dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve.
Ekonomia amerikane ka ecur më mirë se ekonomitë e vendeve të tjera të pasura. Biden shpresonte se politika të tilla do të zbusnin edhe ndarjet sociale dhe politike në vend. Ai gjithashtu shpresonte se ato do ta forconin vendin në garën me Kinën.
Duke e përshkruar epokën e tanishme si një “konkurrencë në një epokë ndërvarësie”, këshilltari për sigurinë kombëtare i zotit Biden, Jake Sullivan, tha se politika e jashtme dhe e brendshme janë bërë më të ndërlidhura se kurrë, sidomos në përpjekjet për të kufizuar qasjen e Kinës në teknologjinë e përparuar.
Në politikën e jashtme, Biden u përpoq të rigjallëronte aleancat që Trump i kishte shpërfillur ose kishte kërcënuar t’i thyente. Ai rinovoi marrëveshjen e “fillimit të ri” me Rusinë, duke kufizuar armët bërthamore me rreze të gjatë, si pjesë e përpjekjes për të vendosur “një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme” me udhëheqësin rus, Vladimir Putin.
Mbi të gjitha, politika e jashtme e zotit Biden kishte synuar të përqendrohej shumë më pak në Lindjen e Mesme, një rajon që më parë kishte marrë energjitë e shumë presidentëve amerikanë. Ai u përpoq t’u jepte fund “luftërave të përjetshme” në Irak dhe Afganistan.
Premtoi të rivendoste marrëveshjen bërthamore me Iranin për ta parandaluar këtë të fundit të bëhej një fuqi bërthamore. Këtë marrëveshje e kishte nënshkruar Barack Obama në vitin 2015 dhe Donald Trump e braktisi në vitin 2018.
Biden fillimisht tha se Arabia Saudite duhet të trajtohej si një “shtet jonormal”. Gjithashtu vazhdoi mbështetjen e gjatë amerikane për një “zgjidhje me dy shtete”, d.m.th., krijimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit, megjithëse nuk bëri shumë përpjekje në këtë drejtim.
Pjesa më e madhe e këtyre planeve kanë shkuar keq për zotin Biden. Duke qenë i paqëndrueshëm dhe krejt i paparashikueshëm, Putin pushtoi Ukrainën dhe bisedimet e reja për marrëveshjen me Rusinë janë pezulluar. Largimi i rrëmujshëm i Amerikës nga Afganistani, u dha mundësinë talebanëve të ktheheshin menjëherë në pushtet.
Ndërkohë, në Gjirin Persik, Kina mori lëvdata si një ndërmjetëse për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Iranit dhe Arabisë Saudite, duke mbushur një boshllëk të krijuar nga shpërfillja amerikane.
Zhvendosja e vëmendjes
Zoti Biden shkoi në qytetin saudit Jeddah në korrik të vitit të kaluar, për t’u pajtuar me princin saudit Muhamed bin Salman. Por presidenti nuk mundi ta bindte sundimtarin de facto të eksportuesit më të madh të naftës në botë për të bërë përpjekje për uljen e çmimeve të naftës.
Arabia vendosi të ruante marrëveshjen e prodhimit me Rusinë, për t’i mbajtur çmimet e larta. Për më tepër, princi saudit vendosi kushte tepër të larta për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin: lëshime për çështjen palestineze; një marrëveshje të mbrojtjes së ndërsjellë me Amerikën dhe pasurimin e vendit me uranium, për të kundërbaraspeshuar programin bërthamor të Iranit.
Shpesh ekipi i zotit Biden është treguar mospërfillës ndaj problemeve në botë. “Rajoni i Lindjes së Mesme sot është më i qetë se ç’ka qenë në dy dekada”, deklaroi Sullivan, vetëm disa ditë para sulmit të Hamasit.
Aleatët e Amerikës në mbarë botën, veçanërisht në Azi, po bëjnë dy pyetje kryesore, thotë Kori Schake nga American Enterprise Institute. Së pari, a do të zhvendosen burimet dhe vëmendja amerikane në Lindjen e Mesme? Dhe së dyti, a do të dështojë zgjidhja amerikane në njërën apo tjetrën krizë?
“Nëse Amerika lejon që siguria e Europës të rrezikohet nga sulmi rus, ose që Izraeli të pësojë një sulm kaq të tmerrshëm terrorist, me siguri vendet e tjera do të besojnë se Amerika nuk dëshiron të merret më me asnjë problem në botë”, argumenton ajo.
Besueshmëria e Amerikës si aleate varet si nga përkushtimi, ashtu edhe nga aftësia e saj. Duke pasur parasysh aleancat e shumta të Amerikës, akademikët kanë debatuar gjatë mbi rëndësinë e besueshmërisë: nëse nuk përmbushen detyrimet ndaj një aleati, a ndikon kjo gjë në zotimet ndaj aleatëve të tjerëve? Për shembull, braktisja e luftës në Vietnam nuk e zbehu shumë vullnetin amerikan për të mbrojtur Europën Perëndimore. Dhe në fund, Perëndimi e fitoi Luftën e Ftohtë.
Këto ditë është shtruar pyetja nëse largimi i papritur i Amerikës nga Afganistani, zbehu besueshmërinë amerikane dhe e nxiti Rusinë të pushtonte Ukrainën. Tod Wolters, një ish-komandant ushtarak i forcave të NATO-s, vitin e kaluar tha se largimi nga Afganistani kishte qenë një nga faktorët që e shtynë Rusinë të kryente pushtimin. Por zoti Sullivan këmbëngul se, në fakt, largimi nga Afganistani “ka përmirësuar aftësinë tonë strategjike” për t’iu përgjigjur pushtimit të Ukrainës dhe kërcënimit të Tajvanit.
Për sa i përket anës ushtarake, Amerika duhet të furnizojë me armë Ukrainën, Tajvanin dhe tani edhe Izraelin. Kjo ka ngritur dyshime nëse industria amerikane e mbrojtjes do mund të plotësojë nevojat e këtyre vendeve dhe të sajat njëkohësisht.
Në përgjithësi, Amerika u dërgon këtyre tre vendeve armë të ndryshme, por kërkesa tani është rritur ndjeshëm. Për shembull, janë në mungesë predhat e artilerisë 155 mm dhe Amerika ka dërguar në Izrael një ngarkesë armësh që kishte parashikuar t’ia dërgonte Ukrainës.
Lufta në Ukrainë ka treguar se konfliktet e mëdha midis dy shteteve, harxhojnë sasi të mëdha municionesh. Në një luftë mbi Tajvanin, Amerikës do t’i mbaronin me shpejtësi raketat me rreze të gjatë që godasin anijet, të cilat do të ishin më të dobishme për të zmbrapsur një pushtim kinez.
Natyrisht, probleme të tilla mund të zgjidhen duke pasur në dispozicion mjaftueshëm kohë dhe para, por të dy këta faktorë mungojnë për shkak të përçarjes në politikën e brendshme dhe paralizës në Kongres. Republikanët, veçanërisht ata që mbështesin zotin Trump dhe sloganin “America First”, po e kundërshtojnë gjithnjë e më tepër mbështetjen për Ukrainën.
Dhe Kongresi nuk kishte mundësi të miratonte projektligje pas shkarkimit të kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, më 3 tetor. Vetëm kohët e fundit u zgjodh një kryetar i ri, Mike Johnson.
Zoti Biden shpreson se mbështetja dypartiake për Izraelin do t’i zhbllokojë gjërat. Ai i ka kërkuar Kongresit shpenzime të jashtëzakonshme prej 106 miliardë dollarësh shtesë për sigurinë kombëtare. Kërkon edhe 61 miliardë dollarë në ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën.
Për ta bërë projektligjin më të këndshëm për opozitën, ka propozuar edhe shpenzime të tjera që republikanët do t’i shihnin si më tërheqëse, duke përfshirë 14 miliardë dollarë për Izraelin; 2 miliardë dollarë për zhvendosjen e pajisjeve ushtarake në Indo-Paqësor (ndoshta në Tajvan); rreth 12 miliardë dollarë në masa të ndryshme për të përmirësuar procesin e përpunimit të emigrantëve në kufirin jugor dhe 3 miliardë dollarë për mbrojtjen me nëndetëse.
“Hamasi dhe Putin përfaqësojnë kërcënime të ndryshme, por e përbashkëta është se të dy duan të asgjësojnë plotësisht një vend demokratik fqinj”, tha Biden. Megjithatë, lufta e Izraelit është e ndryshme nga ajo e Ukrainës, në disa drejtime.
Një ndryshim ka të bëjë me perceptimet ndërkombëtare. Amerika e ndihmon Ukrainën në emër të kartës së OKB-së, paprekshmërisë së kufijve sovranë dhe të drejtave të njeriut.
Ndërsa në mbrojtjen e Izraelit, Amerika po mbështet një shtet që shkel ligjin ndërkombëtar duke ndërtuar vendbanime hebraike në territoret e pushtuara, nuk pranon shtetësinë për palestinezët dhe është akuzuar se po dënon bashkërisht palestinezët, madje disa e kanë akuzuar edhe për krime lufte në bombardimet dhe rrethimin e Gazës.
Rregullat e Lindjes së Mesme
Aleatët perëndimorë janë pothuajse të bashkuar në mbrojtjen e Ukrainës, ndërsa për çështjen e Palestinës, janë të ndarë. Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bëri thirrje për “pushime humanitare” në luftimet në Gaza, u përkrah nga Franca dhe 11 shtete të tjera, por u abstenua nga Britania (dhe Rusia) dhe u bllokua me veto nga Amerika, me arsyetimin se rezoluta nuk njihte të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.
Një faktor i dytë është roli i vetë Amerikës. Në Europë, ajo po vepron përciptazi, duke dërguar armë, inteligjencë dhe para në Ukrainë, por jo trupa ushtarake. Ndërsa në Lindjen e Mesme, po vendos forca ushtarake për të mbrojtur Izraelin nga sulmet e Iranit dhe aleatëve të tij.
Përkrahja e zotit Biden për Izraelin, është pa dyshim e sinqertë. Në fund të fundit, ai e quan veten zionist. Por nga ana tjetër, qëllimi i Amerikës është edhe të ushtrojë ndikim mbi Izraelin dhe ta përmbajë atë.
“Nëse strategjia e Biden-it arrin ta përmbajë përgjigjen ushtarake izraelite, njerëzit do ta shohin atë si dhuntinë e veçantë të Biden-it”, thotë Emile Hokayem nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike. “Por nëse nuk funksionon, atëherë Amerika do të shihet si një nxitëse e luftës”.
Gjendja politike në rajon i ndërlikon edhe më tepër gjërat. Qëndrimet e shteteve arabe janë tepër të paqarta. Shumë e urrejnë Hamasin, si një degë e Vëllazërisë Myslimane që sfidon sundimin e tyre dhe kanë bërë paqe me Izraelin, ose kanë marrëdhënie të heshtura me të.
Megjithatë, kur luftojnë palestinezët, këto shtete myslimane janë të detyruara të mbrojnë çështjen palestineze. Për më tepër, nuk dëshirojnë një tjetër valë refugjatësh palestinezë. Vendet arabe kanë frikë se Izraeli dëshiron ta zgjidhë problemin duke dëbuar më shumë palestinezë.
Kriza në Gaza, vëren zoti Hokayem, e ka kthyer vëmendjen përsëri në Palestinë, pasi Amerika u përpoq prej vitesh që ta shpërfillte atë, ose ta zgjidhte duke normalizuar fillimisht marrëdhëniet midis Izraelit dhe shteteve arabe dhe më pas të merrej me vetë palestinezët.
Megjithatë, rezultati politik në Gaza është lënë qëllimisht i pasigurt. Izraeli këmbëngul se Hamasi nuk duhet të sundojë më Gazën; Amerika thotë se Izraeli nuk duhet ta pushtojë më. Asnjëri nuk thotë se cila mund të jetë alternativa. Zoti Netanyahu ka bërë çmos për të sabotuar shtetësinë palestineze. Pas sulmit të Hamasit, ai dhe shumë izraelitë, do të jenë edhe më të bindur se Palestina është një rrezik vdekjeprurës.
Zyrtarët amerikanë pranojnë se nuk kanë një strategji për “të nesërmen”. “Modeli i dy shteteve, – thotë zoti Hokayem, – ishte një parapëlqim, jo një politikë”. Nëse një zgjidhje duket e pamundur, arsyeja për këtë nuk është vetëm vështirësia e pajtimit të dy kombeve, atij izraelit dhe palestinez, në të njëjtën tokë të shenjtë.
Një arsye është gjithashtu “shpërfillja amerikane”, thotë zoti Hokayem. “Amerika e ka më të vështirë të rikthehet në lojë, pasi e braktisi për një kohë të gjatë rajonin”.
Kina dhe Rusia mund të mos e zëvendësojnë dot diplomacinë amerikane, ama do ta vënë re me kënaqësi dështimin amerikan dhe do të akuzojnë vendin për hipokrizi dhe njëanshmëri. Përpara vizitës në Uashington këtë javë, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, i përshkroi veprimet e Izraelit si “përtej fushëveprimit të vetëmbrojtjes” dhe nuk e përmendi fare Hamasin.
Ndikimi i krizës mund të jetë më i madh në disa “shtete të lëkundura”, thotë Richard Fontaine nga Qendra për një Siguri të Re Amerikane, një institut kërkimi në Uashington.
Këto janë shtete që nuk kanë zgjedhur ende një anë dhe Amerika, Kina dhe Rusia po garojnë gjithnjë e më fort për besnikërinë e tyre. Arabia Saudite mund të kërkojë një çmim më të lartë nga Izraeli dhe nga Amerika për të vendosur lidhje zyrtare me Izraelin, siç kanë bërë fqinjët në Gjirin Persik, si Bahrejni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Turqia, një aleat i dyshimtë i Perëndimit në krizën e Ukrainës, mund të bëhet më armiqësore. Edhe pse është përpjekur të rregullojë marrëdhëniet me Izraelin dhe ka dënuar vrasjen e civilëve izraelitë, presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka mirëpritur udhëheqësit e Hamasit dhe e ka ashpërsuar gjuhën ndaj Izraelit duke përdorur fjalën “gjenocid”.
Nga ana tjetër, Indonezia, vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë, në mënyrë të pashmangshme mbështet palestinezët. Ndërsa India, megjithëse e mban veten si një shtet asnjanës dhe mik i lëvizjeve antikolonialiste, ka shprehur solidaritet me Izraelin, duke ndjerë simpati për të, si një viktimë tjetër e terrorizmit islamik.
Për Afrikën e Jugut, trajtimi i palestinezëve nga Izraeli, është i ngjashëm me Aparteidin. Vendet afrikane, në përgjithësi, mendojnë se Amerika, ose i shpërfill konfliktet në kontinentin e tyre (si luftën në Sudan), ose se ajo është hipokrite kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut. Ata nuk e shohin Amerikën si të domosdoshme, por si një fuqi që mungon. Shumë kanë frikë se zoti Biden nuk do ta mbajë premtimin për të vizituar Afrikën këtë vit.
Fuqitë e mëdha janë përpjekur të joshin shtetet në jug të globit. Këta të fundit, edhe pse e kanë kritikuar pushtimin e Rusisë, nuk duan të ngecin në kurthin e një lufte të re të ftohtë. Amerika është përpjekur t’i joshë përmes ofertave si rritja e kreditimit nga FMN-ja dhe Banka Botërore, dhe krijimi i një fondi global të infrastrukturës, për të garuar me nismën kineze “Rruga e Mëndafshit”.
Por mbetet ende shumë për t’u bërë. Në të njëjtën ditë kur Biden ishte në Tel Aviv, 20 udhëheqës shtetesh ndodheshin në Pekin për një samit të organizuar nga udhëheqësi kinez, Xi Jinping.
Një ditë më vonë, në një fjalim televiziv, zoti Biden e përshkroi Amerikën si “kombin thelbësor” të botës. Në Europë dhe në Indo-Paqësor, administrata e tij ka vepruar me shkathtësi, duke forcuar lidhjet dhe duke krijuar ortakëri të reja, që u ndihmuan nga veprimet agresive të Rusisë dhe Kinës. Megjithatë, në Lindjen e Mesme, Amerika është më e vetmuar në mbrojtjen e Izraelit dhe ka më shumë mundësi të humbasë miq dhe ortakë, sesa të fitojë të rinj.