Kufiri i ‘emergjencës’/ Pentagoni do të dërgojë 1.500 trupa në kufirin me Meksikën

BOTA


Pentagoni do të dislokoje deri në 1.500 trupa aktive për të mbështetur sigurinë e kufirit jugor të SHBA-së, duke u bashkuar me rreth 2.500 pjesëtarë të Gardës Kombëtare dhe forcave rezervë që janë aktualisht në kufi. Ky vendim është në kuadër të planeve të presidentit Donald Trump për të luftuar imigrimin e paligjshëm, përfshirë ndihmën në logjistikë, transport dhe ndërtimin e barrierave kufitare.

Sekretari në detyrë i Mbrojtjes, Robert Salesses, pritet të nënshkruajë urdhrat për dislokimin e ushtarëve gjatë ditës së mërkurë, por ende mbetet e paqartë kur do të bëhet dislokimi dhe nëse numri i përgjithshëm i trupave mund të ndryshojë.

Zyrtarët që ndanë këtë informacion kërkuan të mbeten anonimë, pasi njoftimi për dislokimin e trupave ende nuk është bërë publik.

Megjithatë, ligji i SHBA-së ndalon trupat aktive të kryejnë detyra të organeve të zbatimit të ligjit në kufi, përveç nëse një ligj i shekullit të 19-të shfuqizohet. Trump ka udhëzuar që të shqyrtohet mundësia e ndryshimit të këtij ligji për të lejuar përdorimin e trupave për detyra civile. Ky vendim është i ngjashëm me veprimet e mëparshme të presidentëve Trump dhe Biden, të cilët kishin dërguar trupa në kufi për të menaxhuar situatën e imigracionit masiv.

Në vitin 2018, më shumë se 7.000 trupa aktive ishin dislokuar në Teksas, Arizona dhe Kaliforni, përfshirë njësi të ndryshme ushtarake dhe të shërbimeve shëndetësore dhe inxhinierike. Pentagoni ka deklaruar se trupat nuk do të kryenin detyra të organeve të zbatimit të ligjit, duke shmangur kështu shkeljen e ligjeve të SHBA-së.



Skip to toolbar