Nga Adrian Wooldridge*
Vdekja e Henry Kissinger nëntorin e kaluar krijoi vendin e lirë të punës më ekskluziv në botë: atë të njeriut të mençur në botë. Kur la punën e tij si sekretar i Shtetit në vitin 1977, Kissinger nuk është se doli në pension, por u ngjit në një nivel më të lartë: ai u bë këshilltar jozyrtar i liderëve botërorë të çdo partie, burim i mençurisë për të gjitha gjërat gjeopolitike, ofrues i komenteve të forta për radion dhe televizionin, dhe konsulent politik për të gjitha çështjet. Kush mund ta zëvendësojë atë?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, fillimisht duhet të pyesim pse Kissinger ishte i pazëvendësueshëm për kaq shumë kohë. Ai ishte një burrë shteti me origjinë gjermane dhe një kombinim i jashtëzakonshëm i të kundërtave: shumë inteligjent, por me mendje praktike, shumë i lexuar, por i fiksuar në funksione të ndezura shoqërore (në një Met Gala ai u dëgjua duke pyetur një mik të ftuar, “kush është ky Fluff Daddy?”).
Ai ia doli të ishte kudo dhe ti njihte të gjithë: Më kujtohet që e shikoja në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut në fillim të viteve 2010, që ishte i mbushur me njerëz dhe politikanë rusë dhe perëndimorë, në të cilin ishte njeriu i dytë më i popullarizuar në dhomë pas Vladimir Putinit. Megjithatë, ai shkroi gjithashtu dhe një sërë librash të klasit të parë që kulmuan në botimin që ndezi shumë debate: “Gjashtë Studime në Strategjinë Botërore”.
Kandidatët më të dukshëm për fronin e Kissinger janë politikanët amerikanë, sepse, si vendi që zotëron më shumë pushtet, SHBA preferon të dëgjojë të vetat. Kolegët republikanë të Kissinger-it e kanë përjashtuar veten duke u justifikuar me zgjerimin e tepërt të neokonservatorëve nën drejtimin e George W. Bush dhe në çrregullimin populist në epokën e Donald Trump. Kush do të donte të merrte këshilla nga Paul Wolfoëitz? Apo Steve Bannon? Përjashtimi i tyre na çon tek demokratët e periudhës së “Baby Boom”.
Bill dhe Hillary Clinton të dy janë pretendentë – Bill si presidenti që kryesoi një epokë të artë të globalizimit dhe Hillary si një sekretare e arritur e shtetit. Por Bill po kalon probleme për shkak të jetës së tij personale dhe Hillary nuk i kupton forcat populiste që shkatërruan kandidimin e saj presidencial dhe vazhdojnë të riformojnë botën. Pasi u mor me prodhimin e filmave, podcast-eve dhe shoqërimit me njerëz të famshëm,
Barack Obama së fundmi ka rifutur një këmbë në politikë si këshilltar i Joe Biden për inteligjencën artificiale. Por megjithatë duket se atij i mungon pesha për rolin – nuk arriti asgjë në punët e jashtme që do të justifikonin çmimin e tij Nobel për Paqe – dhe ndoshta nuk ka as entuziazmin e duhur. John Kerry është shumë pompoz dhe i ashpër – më shumë një statujë klasike e një burri shteti romak sesa një person real. Al Gore është një monomaniak.
Po politikanët jo amerikanë? Angela Merkel ishte një nga kancelaret më jetë gjatë të Gjermanisë dhe, gjatë epokës së Trump, veproi si lidere joformale për botën e lirë. Si kryeministre e Zelandës së Re nga viti 2017 deri në vitin 2023,
Jacinda Ardern e zhvendosi partinë e saj në qendër, e mbajti Covid-in në kontroll, u përball me një sulm të tmerrshëm me armë dhe u tërhoq me dinjitet. Kevin Rudd, kryeministër i Australisë nga viti 2007 në 2010 dhe tani ambasadori i saj në SHBA, është një zë i mençur në trajtimin e çështjeve të Kinës, sfidës më të madhe strategjike të epokës sonë.
Jashtë Perëndimit, Lee Hsien Loong, kryeministri i Singaporit dhe Joko Widodo, i njohur gjerësisht si Jokowi, presidenti i Indonezisë, meritojnë të merren në konsideratë – Lee si udhëheqës i vendit më të administruar në botë dhe Jokowi si udhëheqës i popullsisë më të madhe myslimane në botë dhe një përfaqësues i një prej forcave më të fuqishme globale, klasave të mesme aziatike.
Megjithatë, asnjë nga këto personazhe nuk është plotësisht i përshtatshëm. Reputacioni i Merkelit po tkurret nga viti në vit, pasi po paguajmë çmimin për mungesën e saj të vendosmërisë, veçanërisht dështimin e saj për të përmirësuar aftësinë e Gjermanisë për të prodhuar energjinë e vet.
Ardern është një peshë e lehtë gjeostrategjike dhe Rudd është një personazh pa shumë ndikim. Lee dhe Jokowi janë të dy politikanë “të heshtur”, apo me probleme: me gjithë intelektin e tij (ai ishte dijetar i lartë në matematikë në Kembrixh), Lee nuk ka demonstruar entuziazmin e babait të tij për të komentuar mbi çështjet globale, ndërsa mbështetja që ka Jokowi për dënimin me vdekje për tregtarët e drogës mund t’u japë shumë perëndimorëve një justifikim për të “zënë veshët”.
Kjo lë vetëm një kandidat të përshtatshëm midis ish-liderëve botërorë. Pas vdekjes së Kisingerit, politikanët në mbarë botën, nga Bill Clinton te Vladimir Putin, garuan për ta vlerësuar sa më shumë atë. Por mbase lavdërimi më i madh erdhi nga ish-kryeministri i Britanisë, Tony Blair.
“Nuk ka njeri si Henry Kissinger…Që nga hera e parë që e takova si një lider i ri opozitar i Partisë Laburiste në vitin 1995, duke luftuar për të krijuar pikëpamje mbi politikën e jashtme, deri në rastin e fundit kur e vizitova në Nju Jork dhe më vonë kur foli në mbledhjen vjetore të institutit tim, gjithmonë jam mahnitur prej tij…Nëse është e mundur që diplomacia, në nivelin e saj më të lartë, të jetë një formë arti, Henri ishte një artist.” Le ta konsiderojmë këtë si një aplikim të suksesshëm për punë.
Blair ka shumë cilësi të Kissinger-it. Ai ka admirues nga i gjithë spektri politik – Margaret Thatcher e lavdëroi atë ringjallen e Partisë Laburiste, David Cameron u paraqit si “trashëgimtar i Blair” dhe George Osborne, krahu i djathtë i Cameron, e përshkroi atë si “mjeshtër”. .” Lidhjet e tij politike shtrihen në të gjithë botën, nga 7 vendet e ashtuquajtura të “Stans” në Azinë Qendrore në Lindjen e Mesme në Afrikë. Ai është një figurë e madhe si në Europë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara.
Ai ka marrë pjesë në dy procese paqebërëse – në Irlandën e Veriut, si kryeministër, duke kulmuar me Marrëveshjen e së Premtes së Mirë dhe, me më pak sukses, në Lindjen e Mesme si i dërguar special nga 2007 deri në 2015. Instituti i tij i mendimit, Instituti Blair, që ka një staf prej 450 personash e bën të duket minimalist institutin e Kissinger-it, “Kissinger Associates”. Bler është madje mosha e duhur për një praktikant të mençur global: ai ishte 54 vjeç kur la detyrën (Kissinger ishte 53 vjeç) dhe tani është 70 vjeç, në një formë shumë të mirë.
Për kritikët e tij, Blair ka gjithashtu një numër të mrekullueshëm të deformimeve të Kissinger-it. Të dy burrat janë akuzuar si kriminelë lufte – Bler për Irakun dhe Kissinger për shumë gjëra në listë. Për të krijuar një ide, mund të lexoni “Gjyqi i Henry Kissinger” nga Christopher Hitchens ose të shikoni “Gjyqi i Tony Blair” me regji të Simon Cellan Jones.
Të dy burrat janë dyshuar se kanë shkelur një vijë të hollë që ndan ofrimin e këshillave politike dhe fitimit të parave prej tyre. Dhe të dy burrat janë, ose ishin pjesë e një bote kozmopolite të konferencave, festave luksoze dhe miqve të famshëm.
Ekzistojnë gjithashtu dallime të habitshme midis dy burrave që kanë lindur 30 vjet larg njëri-tjetrit. Blerit i mungon thellësia intelektuale e Kisingerit, një thellësi që u ushqye nga përvoja e tij personale e tragjedisë, si një hebre gjerman që përjetoi nazizmin. Është e pamundur të imagjinohet që një libër i tillë si “The Inevitability of Tragedy: Henry Kissinger and His World”, i Barry Geëen-it, të shkruhet për arkitektin e Britanisë së Ftohtë.
Megjithatë, krahasimi nuk është thjesht negativ. Dhuntia e Blair-it për qartësinë dhe zërin e tij interpretues është më e përshtatshme për epokën moderne sesa fjalitë e ndërlikuara dhe theksi i trashë gjerman i Kissinger-it. Blair e kupton se gjeopolitika moderne duhet të përqafojë kujdesin shëndetësor, demografinë dhe ndryshimet klimatike, si dhe strategjinë e madhe.
Në veçanti, ai është shumë më i informuar se Kissinger për Afrikën, kontinentin me popullsinë më të re në botë dhe me kapacitetin për të destabilizuar Europës, nëse kjo popullsi nuk absorbohet në punësim produktiv në vendet mëmë.
Blair është i vetmi burrë shteti global me talentin për të mbajtur një fjalim elokuent ose për të bërë një ndërhyrje të prekshme në emër të vlerave liberale. SHBA-ja është shumë e konsumuar nga kultura e brendshme dhe shumë e rrënuar nga grupet e brendshme të presionit për të mbajtur qëndrimin që mbajti gjatë Luftës së Ftohtë; BE-ja është shumë e varur nga aparatçikët gri që nuk thonë asgjë dhe e thonë keq.
Është koha që Sir Anthony Charles Lynton Blair të marrë mantelin e një Dr. Henry Kissinger të ri dhe të përmirësuar.
*Adrian Wooldridge është kolumnist i biznesit global për Bloomberg Opinion. Ai është një ish-shkrimtar në Economist dhe autor i “Aristokracia e Talentit: Si e bëri meritokracia botën moderne” – Bloomberg