Kulluri: 5 faje të Bashës që e bënë PD të pabesueshme

POLITIKË


Edvin Kulluri, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar Demokrat, i cili ka qenë një nga kritikët e kreut të PD dhe nismëtar i lëvizjes “Basha ik”, ka renditur pesë faje, jo gabime, të cilat sipas tij ka bërë Basha në drejtimin e PD, duke e çuar opozitën në dështim. Sipas Kullurit, fajet e Bashës kanë nisur që në vitin 2017, por ato janë shtuar në vitin 2019, sidomos me djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

“Marrëveshja jo transparente Rama-Basha, fushata elektorale e orientuar kundër LSI dhe PDIU dhe jo ndaj Rilindjes dhe lista anti-demokratike e deputetëve i dhanë opozitës një goditje elektorale të paprecedentë në 25 qershor 2017! Po të shtojmë dhe dështimin e qartë të ‘djegies së mandateve’ dhe bojkotit të zgjedhjeve lokale, është e qartë se lidershipi i PD ka dështuar në të gjithë objektivat e veta politike”, ka renditur Kulluri, duke vënë në dukje se këto kanë qenë të gjitha orientime të kreut të PD.

Sipas tij, janë pikërisht këto faje që kanë bërë opozitën pa një alternativë qeverisëse, duke humbur kështu besimin e elektoratit. “Mungesa e një oferte të besueshme dhe njerëzve të motivuar për shkak të drejtimit arbitrar e kanë vënë opozitën në një pozitë morale të pabesueshmërisë. Mosbesim të qytetarëve ndaj një modeli që nuk ngjall shpresë!”, shkruan Kulluri ashpër për liderin demokrat, duke shtuar se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të zëvendësuar një mazhorancë në fuqi me një mazhorancë tjetër nëse kjo e dyta, pra opozita nuk është alternativë më e mirë dhe më bindëse.

Kulluri shpjegon se qëndrimi i ashpër ndaj Bashës vjen si emergjencë për të ndryshuar mazhorancën, pasi opozita që i mungon alternativa përbën gjysmën e tablosë politike në krizën që ka kapur vendin.  

“Ndaj e kam konsideruar dhe konsideroj krizën e përgjithshme dhe të rëndë politike të vendit, tashmë si pasojë e sjelljes së opozitës. Kjo është e vërteta tashmë e provuar prej 2 vitesh. Mund të kisha zgjedhur të bëja kompromis kundër moralit tim dhe shumë demokratëve me Lulzim Bashën, por nuk e bëja dhe nuk e bëj dot” shprehet Kulluri.

Gjithashtu, ai ka thumbuar Bashën edhe për marrëveshjen e 2017, duke i dhënë mesazhin se politika është moral dhe jo Pazar, ndërkohë që e bën përgjegjës për votat e humbura të opozitës në 6 vitet e fundit. “400 mije votat e humbura prej 2013 duan përgjigje, duan zgjidhje, duan përfaqësim. Ashtu si dhe dhjetëra mijëra të tjera që shkojnë tek opozita megjithëse janë të pakënaqur me këtë lidership, por qëndrojnë për shkak të lidhjes së fortë emocionale me Partinë Demokratike. Ndaj, vetëm reformimi i thellë politik, organizativ, moral dhe ideologjik i Partisë Demokratike është e vetmja rrugë për të rrezuar Edi Ramën dhe Rilindjen e tij”, shprehet Kulluri.

Kulluri është një nga zërat e fortë që ka kërkuar largimin e Bashës, sidomos pas 30 qershorit, kur PD mbeti pas asnjë pushtet. Më herët largimin e Bashës e ka kërkuar edhe ish nënkryetarja e partisë Jozefina Topalli, e cila e cilësoi Bashën një eksperiment të dështuar të PD-së. Ndërsa ish ministri Arben Imami është shprehur emisionin Reals Story se Basha duhet të mbajë përgjegjësi për djegien e mandateve dhe mos futjen e PD-së në zgjedhje. Ai ka thënë se Rama largohet vetëm me votë dhe jo përmes protestave sikurse thotë Basha.

Por deri tani zërat kundër Bashës në PD kanë mbetur vetëm në kuadrin e deklaratave mediatike, ndërsa po përgatitet një organizim i të mënjanuarve për lëvizjen “Basha ik”. Më herët Realstory ka shkruar se amerikanët mbështesin një emër tjetër brenda PD-së për postin e kryetarit dhe ajo është Jorida Tabaku./ Realstory.al



Skip to toolbar