Kulluri: Burrat flasin, nuk mërmërisin!

Më të fundit


Letra e gjatë e nisur nga ekzili prej Arben Ahmetaj, nga cështje ligjore, e shndërroi cështjen e hetimit për inceneratorët në debat politik, një polemikë politike mes tij dhe Kryeministrit. Fraza e tij e hidhur drejtuar publikut dhe sidosomos partnerëve ndërkombëtarë që kanë krijuar e nxitur SPAK në luftën ndaj korrupsionit, lidhur me “Mbretin dhe reformën”, provokoi disa orë më vonë përgjigjen e vetë “Mbretit”. Ky I fundit përmes një fjalimi u rreshtua në krah të reformës përkundër bashkëpunëtorëve të tij që kanë abuzuar me pushtetin e marrë dhe administruar bashkë. Duket se ky është vetëm fillimi i një polemike brënda PS dhe përtej, e cila do ndajë disa gjëra që rrijnë pezull prej kohësh.

Së pari, nëse Kryeminsitri ka patur apo jo dijeni për praktikat korruptive me të cilat janë menaxhuar në disa bashki mbetjet urbane përmes inceneratorëve, që nuk punuan as edhe një ditë, megjithëse kemi paguar të gjithë cdo ditë. Këtë gjë duhet ta sqarojë pikërisht Ahmetaj e më pas vetë Rama. Dhe në kët pikë Kryeministri ose është i sinqertë se nuk ka patur dijeni për c’ka ndodhur, ose drejton qeverinë në paaftësi epike, që nuk e lë të shohë përtej fasadave, samiteve ndërkombëtare e polemikave me Albin Kurtin. E akoma më keq është i përfshirë dhe vetë në këtë skandal. Por nëse nuk ka dijeni, nuk mundet as sesi të justifikojë një listë ministrash e vartësish të tij në Kryeministri që janë të paaftë ose të implikuar në këtë skemë korruptive të paprecedentë. Në të dyja rastet, Rama ka përgjegjësi politike. E deri dje Ahmetaj ka hedhur kunja por nuk ka folur qartë për sa më lartë, pra rolin e Kryeministrit.

Së dyti, ish zëvendës-Kryeministri aludonte për kolegë që e kanë tradhëtuar e akoma më keq që kanë përgjegjësi për incëneratorët. Por sërish aludim bëri pa folur qartë me emra dhe funksione. Për shembull nuk tha se c’mendon për kryetarët e bashkive që kanë në administrim dhe paguajnë inceneratorët. Duke nisur që nga Bashkia Tiranë e më pas të tjerat. Ahmetaj nuk foli qartë as c’mendon për rolin e Ministrisë së Drejtësisë e Ekonomisë që janë shprehur në favor të VKM që jetëzuan këtë skandal, që rrezikon të thithë brënda gjysmën e ministrave të kohës e mbase ndonjë aktual.

Së treti, mesazhi për ndërkombëtarët ishte I dyfishtë dhe po aq I hidhur, megjithëse sërish i kamufluar. Sespse la të kuptohej që Reforma në Drejtësi e nxitur prej tyre nuk cënon nivelin më të lartë politik, pra “Mbretin” dhe së dyti sepse është një reform që “kënaq turmat” por jo rivendosjen e ligjit. E këtu nuk u mor vesh se kë quajti në vijim dhe “kafshë pylli”, partinë e tij, opozitën apo shqiptarët! Apo të tre bashkë. Natyrisht që kjo shkëputje nga “të rëndomtët” nëse do e përkthenim drejt, vjen prej dikujt që në viktimizimin e tij e ndjen veten superior. Si të thuash viktimë fatkeqe e një konjukture të pamoralshme apo mediokër.

Por a është vërtetë kështu? Sa gjasa ka që Ahmetaj të jetë një viktimë perfekte e një konspiracioni kaq të gjerë? Historia e tij është historia e një teknicieni e më pas politikani me dritëhije të mëdha. Historia e përfoljes në vitin 1998 në qeverinë Nano 1 dhe aq me tepër hetimi për cështjen Hermes me Albtelekomin në vitin 2005, nuk tregojnë për një zyrtar me integritet të pastër sa c’pretendon se është. Përkundrazi! Ka një paragjykim të fortë publik për personazhin në fjalë që nuk vjen nga hici. Perceptimi është mbase e vetmja gjë që vlen ne politikë. Së dyti ‘të këqinjtë e mbledhur bashkë” kundër tij logjikisht kanë një motiv moral. Të dëmtojnë një personazh pozitiv. Një tip heroi që lufton me mish e shpirt mëkatarët, qofshin këta socialist, demokratë apo ndërkombëtarë.

Cështja është së këto virtyte tek Ahmetaj nuk duket se marrin jetë. Vetë mënyra e të shkruarit të letrës së hapur dje, të con në përfundim të kundërt. Komunikimi pjesërisht shantazhues, e pjesërisht nënkuptues shfaq dobësinë e një njeriu që nuk beson në ato që thotë. Nuk është i bindur në mesazhet që con. Nëse do ishte e kundërta do duhej të fliste qartë. Si fillim të jepte mendimin e tij të prerë nëse cështje e inceneratorëve është një aferë skandaloze e korruptive apo jo. Dhe këtë gjë Ahmetaj as nuk tenton ta thotë. Së dyti, nëse është një aferë korruptive duhet të shprehet se cilët janë personat e institucionet e përfshira. Ky po do ishte një akt epik I denjë për “heroin” që po duan të përlyejnë pa të drejtë kundërshtarët e vet. Pikërisht “heroi” që përputhet tamam me një “tigër” që Lufton për të drejtën e nuk mërmërit me gjysëm zëri, ca cerek aludime, e një cerek tjetër kërcenime nëpër rreshta. Burrat flasin dhe qëndrojnë, as nuk mërmërisn e aq më keq nuk ikin por përballen me të vërtetat e mëdha dhe kundërshtarët më të egër. Përndryshe fajin mund ta ketë pasqyra që macen e përthyen në “tigër”.



Skip to toolbar