Brazili nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim në ndeshjen e dytë në grup në Kupën e Amerikës. Seleçao u tregua e pasaktë, por edhe e pafat dhe vetëm barazoi 0-0 me Venezuelën.
Pas dy ndeshjeve të para Brazili e kryeson grupin A me 4 pikë po aq sa ka edhe Peruja me të cilën do përballet në ndeshjen e fundit. Brazilianët kanë dominuar në ndeshjen e zhvilluar në Salvador në stadiumin “Arena Fonte Nova” por nuk kanë arritur dot të shënojnë madje skuadrës së Tite i janë anuluar tre gola nga sistemi VAR.
Pavarësisht se nuk e ka superstarin Neymar, Selecao e luan në shtëpi “Copa America” dhe pritshmëritë janë të larta. Tifozët nuk kënaqen me asgjë më pak se titulli. Sidoqoftë, askush nuk mund të thotë se kjo do të jetë e lehtë. Barazimi pa gola me Venezuelën e dëshmoi qartë këtë gjë. Në sfidën e parë të këtij turneu, Brazili u përpoq ta shkatërronte Bolivinë për 45 minuta, pastaj krijoi presion në pjesën e dytë dhe mori një fitore të rehatshme.
Ndeshja e së martës kundër Venezuelës filloi në mënyrë të ngjashme, por VAR anuloi tre gola. Thiago Silva mbrojti të tijtë, duke thënë se iu mungoi fati në këtë ballafaqim: “Sipas mendimit tim, barazimi ishte një rezultat i pamerituar, kryesisht për shkak se Venezuela kishte shumë pak shanse. Kemi punuar si duhet në mbrojtje, ekipi ishte i vendosur mirë në fushë.
Patëm vështirësi me ritmin, edhe të shtynim përpara, sepse kundërshtari ishte shumë mbrojtës. Ndonjëherë u përpoqëm të dilnim shpejt në kundërsulm, por dështuam. Unë besoj se ishim mirë sonte, si një e tërë. Megjithatë, nuk është ajo që duam. Kur nuk shënon, duket se gjithçka ka shkuar keq”.
Në ndeshjen tjetër të grupit A për Kupën e Amerikës Peruja arrin një fitore të rëndësishme që e afron edhe më shumë me kualifikimin.
Peruja fitoi me përmbysje 3-1 ndaj Bolivisë falë golave të shënuar nga Guerrero, Farfan dhe Flores. Kolumbi-Katar luhet sonte në 23:30 dhe pas mesnate në orën 02:30 zbret në fushë Argjentina që nuk duhet të gabojë ndaj Paraguait në ndeshjet e grupit B.