Kuqezinjtë, poker ndaj Islandës, shpresë për kualifikim

SPORT


Dermaku e më pas Hysaj, i japin zemër Roshit e më pas Cikalleshit. Shqipëria 4, Islanda 2, festë është e gjitha kuqezi në “Elbasan Arena”. Një ndeshje e çmendur me gjashtë gola, por në fund fiton kombëtarja jonë. Lojë e organizuar, skuadër më e qartë si në fushën e lojës, funksionon çdo repart, lojtarët kuptojnë njëri-tjetrin dhe kanë ide. Kështu mund të përmblidhet në pak rreshta loja e të martës e skuadrës tonë kombëtare ndaj Islandës, që mori një fitore me shumë vlerë ndaj një kundërshtari shumë të vështirë. Ndeshja ka nisur me ritëm të ulët, por gjërat kanë ndryshuar në minutën e 33-të të takimit, kur Dermaku ka gjetur rrjetën për kombëtaren tonë, duke shënuar një gol të bukur me kokë brenda zonës. Goli i jep tjetër ritëm skuadrës, kuqezinjtë kuptojnë kapacitetin e tyre dhe kërkojnë më shumë, por pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0. Me nisjen e të dytës, Islanda na kap në befasi, duke shënuar një gol të shpejtë me Sigurdsson, duke vendosur barazpeshën në fushë. Por nuk zgjati shumë festa e miqve. Hysaj në minutën e 52- realizon golin e parë të karrierës me kombëtaren dhe jo vetëm, duke shënuar një gol të bukur nga brenda zonës. Festa është kuqezi, por prishet në minutën e 58-të, kur Sigthorsson shënon pas një përgjumje të mbrojtjes tonë. Megjithatë, pas këtij goli, Edy Reja fut në fushën e lojës Odise Roshin, që i jep tjetër ritëm skuadrës tonë. Rezultati nuk vonon, vetë Roshi shënon një gol spektakolar duke rikthyer avantazhin dhe festën në kuqezi në “Elbasan Arena” në minutën e 79-të. Nga këmbët e Roshit nisi dhe goli i katërt i kombëtares tonë, pasi futbollisti u nis në një aksion drejt portës duke pasuar te Memushaj. Mesfushori vlonjat i pason Cikalleshit që nga brenda zonës shënon dhe golin e katërt, duke vulosur rezultatin me shifrat 4-2 në minutën e 82-të. Me fitoren e të martës, skuadra jonë shkon në kuotën e 9-të pikëve, por mbetet në vendin e katërt pas Francës dhe Turqisë që kryesojnë grupin me nga 15 pikë, ndërsa Islanda mbetet në kuotën e 12 pikëve dhe ruan vendin e tretë. Me këtë fitore, Shqipërisë i janë kthyer shpresat për kualifikim, duke pasur parasysh edhe ndeshjet e mbetura.



Skip to toolbar