Kombëtarja pas humbjes me Turqinë në frymën e fundit, ka nisur përgatitjet për ndeshjen e së hënës me Moldavinë, e vlefshme për Europianin e 2020-ës.
Ashtu si ditën e shtunë, edhe të dielën lojtarët e kombëtares zbritën në fushën e blertë për t’u stërvitur, pasi koha është shumë e paktë për të përgatitur sfidën.
Deri tani duket se nuk ka asnjë problem për lojtarët shqiptarë, ndërsa në pasdite pritet e konferenca e trajnerit me kapitenin që do ta shoqërojë përpara gazetarëve.
Pas humbjes me Turqinë, e cila praktikisht ka shuar çdo shpresë të kuqezinjve për kualifikim, pritet që në këtë sfidë trajneri Reja të bëjë disa ndryshime në formacion. Më shumë hapësira do të kenë lojtarët e rinj, ndërsa pritet të bëjnë debutimin edhe dy lojtarët e rinj Taulant Seferi dhe Lindon Selahi.
Ende në dyshime për sfidën është mbrojtësi 19-vjeçar Marash Kumbulla, i cili vuan një dëmtim në shpatull nga ndeshja e fundit që luajti në ‘Seria A’.
Për sa i përket ndeshjeve me Moldavinë kombëtarja shqiptare është e favorizuar në bazë të statistikave. Në katër përballje të mëparshme kuqezinjtë kanë fituar tre herë, ndërsa vetëm në një rast ndeshja është mbyllur në barazim. 8 gola gjithsej kanë realizuar futbollistët e kombëtares sonë, ndërsa dy herë ata të Moldavisë. Për këtë sfidë UEFA ka përcaktuar edhe arbitrit që do të jetë një katërshe nga Anglia me kryesor Chris Kavanagh.