Kur e kupton, se e ke kokën në sininë e Lulzim Bashës

POLITIKË


Nga Mero Baze

Grida Duma duket se e ka seriozisht betejën për të bindur PD-në, të bëjë pjesë të platformës së saj, ndryshimin e sistemit zgjedhor, lidhur me pikën e listave të hapura. Në disa dalje publike, ajo është fokusuar vetëm në këtë pikë.

Nuk është se ka ndonjë ide të studiuar mbi ndryshimet që duhet të pësojë Kodi Zgjedhor, apo teknikalitete të tjera. Duket që ka një kërkesë tërësisht politike, e cila ka të bëjë me listat e hapura në sistemin propocional. Pra kërkon që ashtu si në sistemin e Kosovës, qytetarët të kenë mundësi të përzgjedhin nga lista që rendit partia, kandidatët që ata dëshirojnë më shumë.

Shqetësimi i saj është shumë i lexueshëm, si shqetësim politik, dhe jo si eksperte elektorale. Si një shqetësim që nuk vjen nga defektet në zgjedhje, por nga mungesa e demokracisë në partitë politike shqiptare. Grida Dume tani dukshëm ndjehet e pasigurtë nga Lulzim Basha. Ndjehet e anashkaluar prej tij, por ka idenë që është popullore tek demokratët dhe shpreson që ta fitojë betejën në luftën e ftohtë me Bashën, përmes listave të hapura.

E gjitha kjo ndodh, pasi debutimi i saj i parë politik si deputete, erdhi pikërisht nga listat e mbyllura. Falë tyre, Lulzim Basha spastroi gjithë rivalët e vet në parti. Ai me një të rënë të lapsit, hoqi nga gara Topallin, Patozin, Boden, Imamin, Bregun, Rulin, dhe figura të tjera të PD, për t’i hapur rrugë Gridës, Salianjit, djalit të Fahriut dhe disa anonimëve të tjerë në PD. Falë listave të mbyllura dhe fuqisë së kryetarit, Grida Dume sot është në politikë. Nëse do kishte lista të hapura më 2017, ajo nuk do të ishte deputete. Por tani ajo e ndjen se koka e saj dhe e të tjerëve është dorëzuar në “sininë” e Lulzim Bashës. Kjo i duket diçka e rrezikshme për të vazhduar më tej. Dhe tani ka të drejtë.

Por a mund t’i korrigjojmë defektet e mungesës së demokracisë në partitë shqiptare, me ligjin elektoral? Natyrisht që jo. Defektet brenda partive politike shqiptare, janë një betejë që duhet bërë brenda partive dhe tek ligji i partive politike. Shumë parti politike janë të paligjshme në veprimtarinë e tyre. Por mbi të gjitha, kryetarët e tyre sillen si pronarë të partive, duke injoruar çdo problem që i hapin partisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë pagesa të paligjshme prej 670 mijë euro në emër të PD, pagesa që po kompromentojnë imazhin Perëndimor të PD, pasi po e lidhin me financime ruse, dhe askush në PD nuk ka reaguar për këtë. Përkundrazi, i kanë dalë zot kryetarit të tyre.

Kryetari i PD është tallur me PD, duke çuar listën e kandidatëve për deputetë në orën 12 të natës në KQZ, duke e konsultuar vetëm me kunatin e tij, dhe askush në PD nuk ka reaguar për këtë, përveç atyre që nuk ishin në listë.

Kryetari i PD ka marrë vendim të djegë mandatet dhe të mos hyjë në zgjedhje, duke ua komunikuar vendimin organeve të zgjedhura të PD, pa i pyetur realisht ato, dhe tani rrijnë e shajnë në tavolina, po kurrë në publik.

Përpjekja për t’i marrë pushtetin Lulzim Bashës duke ndryshuar sistemin zgjedhor, është naivitet. Lulzim Basha është shumë i qartë për favoret që i jep ky sistem elektoral për të qenë zot i partisë dhe për të vendosur heshtjen në korridoret e saj. Ai e di se mund të gënjejë, siç gënjen për dy vilat që ka marrë nga një “oligark” i Edi Ramës, dhe askush nuk flet nëpër korridore. Ai e di se mund t’u vendosë gjoba familjare “oligarkëve”, dhe askush nuk flet për pazaret e tij me ta nëpër korridore. Ai e di se të gjithë kur heshtin, kanë parasysh pikërisht ato listat që Grida Duma i do të hapura.

Është naivitet i madh t’i kërkosh Lulzim Bashës, të dorëzojë të vetmen fuqi që ka brenda PD, pa Berishën. Sistemi elektoral me lista të mbyllura, është e vetmja hipotekë që ai ka brenda PD. Është më lehtë të heqësh Lulzim Bashën nga kryetar me betejë brenda PD, se sa ti heqësh atij nga duart të vetmin mekanizëm që ka për të detyruar të tjerët ta respektojnë në PD. Ndaj nëse zonja Duma ka vendosur të niset për luftë kundër sistemit, është mire ta fillojë betejën me pronarin e sistemit. Ai quhet Lulzim Basha.

Kundërshtari i tij Edi Rama është kujdesur për t’ia  lënë të gjitha propozimet në dorë opozitës, lidhur me Reformën Zgjedhore. D.m.th ja ka shtuar dhe një nder më shumë Lulzim Bashës. Ndaj është naivitet të bësh betejë për të sqaruar Lulzim Bashën, mbi përparësitë e listave të hapura. Ai e di shumë mire, ndaj i do siç janë. Të mbyllura.



Skip to toolbar