Kryeministri Albin Kurti nga Mynihu ka folur për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë duke thënë se është mirë të ndodhë shpejt, por shpejtësia nuk duhet t’ia zë vendin prioritar përmbajtjes. Ai tha se është për një dialog me parime dhe në konsultim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
“Unë nuk jam kundër dialogut, por jam për dialog të përgatitur mirë dhe me parime. Jam konstruktiv me një dialog që na shpie në marrëveshje dhe që është mjaftueshëm që të mos sabotohet as nga brenda as nga jashtë. Tani ne kemi legjitimitetin e freskët, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Serbinë, ata i kanë në fund të prillit zgjedhjet, mbase kur ata t’i përfundojnë zgjedhjet dhe t’i përfundojmë këto marrëveshjet e deritanishme. Pastaj, të bisedojmë edhe me Brukselin, Berlinin, Parisin dhe me ëashingtonin për një kornizë që na e bën dialogun konstruktiv dhe marrëveshjen e drejtë”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se marrëveshja aq më shpejt është aq më mirë, por përmbajtja është prioritet mbi gjithçka tjetër. Sipas tij, reciprociteti është parim normal i marrëdhënieve bilaterale.
“Ne do ta heqim taksën, por se ta vendosim parimin e reciprocitetit. Qytetarët më 6 tetor na kanë votuar për këtë gjë. Në program e kemi kur u votuam më 3 shkurt si kabinet qeverisës, do ta zbatojmë me planin e punës së qeverisë”, ka thënë ai.
Kurti në një intervistë për DW tha se në këto ditë të para të punës është i fokusuar në procesin e zvogëlimit të ministrive dhe formimit të stafit të ri.
“Duhet ta keni parasysh që kjo është dita e 11-të e punës sime dhe krejt çfarë kam arritur të bëj është që të kemi një lloj plani për zvogëlimin e 21 ministrive dhe s’e kam caktuar as gjysmën e zëvendësministrave e të stafit. Tash do të kemi një ushtrues të ri të drejtorit të doganave dhe na duhet ca përgatitje për ta zbatuar reciprocitetin”, ka thënë ai.
I pari i ekzekutivit kosovar që për herë të parë u përballë me presidentin serb në një tryezë tha se Aleksandar Vuçiç u shpreh me nervozizëm për shkak të qëndrimeve të tij të njohura.
“Kjo konferencë në përgjithësi ishte me rregullat e Chatham House Rules. Nuk mund të flas konkretisht për përmbajtjen, por u ndje një trysni të madhe meqë kishte edhe media serbe dhe Vuçiç u shpreh me nervozizëm, qëndrimet e mia janë të mirënjohura”, ka shtuar Kurti.
Kryeministri foli edhe për unifikimin e qëndrimeve me presidentin Hashim Thaçi duke thënë se është i gatshëm për këtë sepse Kosova nuk duhet t’i ketë dy politika të jashtme.
“Nuk e di se sa mund t’i unifikojmë qëndrimet, por unë shpreh vullnetin dhe interesimin tim që të mos kemi dy apo më shumë politika të jashtme të Kosovës. Edhe Trump kur i pati dërguar letrën Thaçit, vitin e kaluar, ka thënë se Kosova duhet të flasë me një zë të unifikuar dhe të bashkuar. Mendoj që këtë duhet ta bëjmë sa më parë. Ndoshta nuk është mirë që nuk u takuam para se të vijmë këtu, por do të kemi kohë që të takohemi pa problem”, shprehet ai.
Kurti mund të mos pajtohet për shumë çështje me presidentin, por ai mendon ngjashëm sa i përket inciativës së Mini-Schengenit.
“Mendoj se është mirë që sa më parë Mini-Schengeni të inkorporohet në procesin e Berlinit. Ky është një proces që merret me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të mos kemi diku katër shtete e diku gjashtë, por siç e ka projektuar kancelarja Merkel. Unë nuk kam asgjë të keqe dhe dua që Kosova dhe Shqipëria të integrohen dhe bashkohen sa më shumë, të bashkëpunojnë në secilin fushë. Dallimet janë të tejkalueshme dhe takimi me kryeministrin Edi Rama është ndër takimet më të mira të dy-tre viteve të fundit me të”, ka përfunduar ai. /DW