Kurti, letër Thaçit: Mos bëj presion, jemi afër marrëveshjes me LDK

AKTUALITET


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka nisur një letër Presidentit Hashim Thaçi mëngjesin e së hënës, përmes të cilës i kërkon që të mos i bëjë më presion për mandatimin si kryeministër pasi është shumë pranë arritjes së një marrëveshje me LDK-në.

Më tej në letrën e gjatë prej dy faqesh, Kurti i shkruan presidentit se bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe të sqaruar me hollësi në aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, presidenti nuk mund të bëjë interpretime shtesë. Kreu i VV-së shkruan se Kushtetuta nuk i njeh presidentit të republikës asnjë autoritet për të ushtruar një vetë emërim, vetë sugjerim për emërim ose vetë përcaktim të kandidatit që përfaqëson vullnetin e subjektit politik fitues të zgjedhjeve.

Kurti gjithashtu shkruan se roli i presidentit është pasiv në të gjithë procesin e krijimit të qeverisë dhe se vetëm formalisht mandaton një kandidat pasi atij i dërgohet emri nga subjekti që ka shumicën parlamentare.  Kurti tërheq vëmendjen se një veprim ndryshe i Thaçit mund të shtrembërojë rendin kushtetues, siç janë sipas tij edhe interpretimet subjektive dhe të pabaza se ndokush obligohet të veprojë shpejt apo ngadalë.

Në fund, Kurti thotë se VV nuk po e shfrytëzon këtë kohë për të neglizhuar ndërtimin e koalicionit as edhe të cenojë autoritetin e presidentit, por me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje politike që adreson një dakordim për programin qeverisës. Ai thotë se marrëveshja me Lidhjen Demokratike të Kosovës është në fazën e finalizimit dhe në një të ardhme të afërt do t’i dërgohet zyrtarisht emri i të përzgjedhurit për postin e kryeministrit.



Skip to toolbar