Kurti: Negociatat me LDK nuk janë të lehta, por jam optimist

KOSOVA


Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti shprehet optimist për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në të parën mbledhje për këtë vit me drejtuesit e degëve të Vetëvendosjes, Kurti u shpreh se negociatat me LDK-në nuk kanë qenë të lehta, në takimet e kësaj jave ka pasur përafrime qëndrimesh dhe tani pret përgjigje për propozimet e reja që janë bërë.

 “Është e vërtetë se jemi afruar dhe po u afruam edhe pak, do të bëjmë marrëveshje. Në takimin e mbajtur të mërkurën, të dyja palët kemi bërë nga një propozim. Pra, kishte lëvizje. Të enjten, ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi bërë edhe dy propozime të reja. Për propozimin tonë të fundit na është thënë që do të trajtojnë në organet e tyre, meqenëse ky propozim ishte risi, por nuk mund të flas se cila është përmbajtja e tij”.

Dy partitë nuk po bien dakord për ndarjen e posteve ministrore, por edhe atë të Presidentit të ri që do të zgjidhet vitin e ardhshëm. Megjithatë, palët kanë qenë tepër hermetike gjatë takimeve të fundit në dhënien e informacionit për mediat se në ç’fazë ndodhen bisedimet dhe ku qëndrojnë mosmarrëveshjet.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka bërë thirrje Kurtit të propozojë sa më shpejtë emrin e kandidatit për Kryeministër. Në të kundërt, bazuar edhe në vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, ai do t’a konsiderojë mosparaqitjen e kandidaturës, si refuzim për të marrë mandatin për formimin e qeverisë nga Vetëvendosja.



Skip to toolbar