Kurti thirrje serbëve nga mbledhja e qeverisë: Reciprociteti për letërnjoftime fillon me 1 shtator, mos bini pre e dezinformatave

KOSOVA


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish deklaroi se një fushatë dezinformimi për vendimet e Qeverisë sa i përket targave dhe dokumenteve serbe, kishte për qëllim të nxiste frikë dhe të krijonte destabilitet.

Ai u bëri thirrje serbëve që të mos bien pre e fushatave të tilla.

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 10 gusht, Kurti tha se vendimi për riregjistrimin e veturave me targa të lëshuara nga Serbia, është vendim që i shërben rendit dhe ligjit, sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë, dhe se ai do të nise të zbatohet nga 1 shtatori.

Por, zbatimi i këtij vendimi, së bashku me atë për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit serb që hyjnë në Kosovë, u shty për 1 shtator, për shkak të ngritjes së barrikadave më 31 korrik dhe 1 gusht në veri të vendit.

“Ajo[fushata e dezinformimit] ishte në shërbim të barrikadave. Në përbërje me individë të armatosur e me të kaluar kriminale, barrikadat u bënin rezistencë vendimeve tona vetëm që të mbronin krimin e organizuar në veri të vendit”, tha Kurti.

Ai tha se ka dëgjuar lajme të rreme që dokumentet serbe do të konfiskoheshin në kufijtë e Kosovës, por ai shtoi se vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka pasur këtë qëllim. Sipas tij, dokumenti për hyrje-dalje është vetëm një dokument shtesë që u jepet të gjithë shtetasve serbë me të hyrë në Kosovë.

“Askush nuk është imun ndaj lajmeve të rreme, ndërkaq rreziku prej tyre është shumë i madh. Po jetojmë në një epokë sfiduese andaj na duhet kujdes i shtuar. Sot dezinformimi paraqet rrezik për sigurinë kombëtare”, tha Kurti.

Ai falënderoi qytetarët që më 31 korrik dhe 1 gusht treguan përmbajtje dhe ftoi ata që të mos bien pre e dezinfomatave për vendimet e ekzekutivit që ai udhëheq.

“Ne e dimë që barrikadat që rëndom vendosen në veri nuk vijnë nga poshtë, por vendosen nga lartë. Ato as nuk iu përfaqësojnë juve qytetarëve tanë dhe as nuk ju mbrojnë juve”, tha Kurti.

Të njëtin mesazh, Kurti e dha në gjuhën shqipe dhe serbe.

Më 31 korrik, një ditë para hyrjes në fuqi të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – në veri, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Pas ndërhyrjes edhe të faktorëve ndërkombëtarë, Qeveria u pajtua që të shtyjë zbatimin e këtyre vendime për një muaj, pasi të hiqeshin barrikadat.

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit nga serbët lokalë.

Edhe më herët, kryeministri Kurti ka akuzuar Beogradin zyrtar për një fushatë të dezinformimit sa i përket vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.

Ndërkaq, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti deklaroi më 8 gusht se ka pasur rrezik që situata në veri të përshkallëzohej në konflikt të armatosur për shkak të “frikës së inektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd./REL



Skip to toolbar