Uragani Milton është intensifikuar me shpejtësi në një stuhi tejet të rrezikshme të kategorisë së pestë, teksa çan rrugën drejt shtetit amerikan të Floridës.
Milton po fryn erëra të forta me shpejtësi deri në 285 km/h, ndërsa përshkon skajin verior të gadishullit Jukatan të Meksikës. Parashikuesit paralajmërojnë për stuhi potencialisht katastrofike përgjatë zonave bregdetare.
Stuhia pritet të godasë qytetin shumë të populluar të Tampa Bay me fuqi të plotë të mërkurën.
Kryetarja e bashkisë së Tampas ka paralajmëruar banorët se nëse vendosin të qëndrojnë në zonat e evakuimit kur të godasë Uragani Milton, ata do të vdesin.
“Unë mund ta them këtë pa asnjë dramatizim: Nëse zgjidhni të qëndroni në një nga ato zona evakuimi, do të vdisni”, tha Jane Castor për CNN.