Kushtetuesja cakton datën, ja kur vendos për Metën

Më të fundit


Gjykata Kushtetuese cakton për të shqyrtuar çështjen për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Seanca është vendosur më 18 janar.

Pritet që të thërritet në Kushtetuese Presidenti Meta, për të treguar faktet dhe provat e tij, e më pas, është kërkuar që të gjitha palët të japin pretendimet e tyre me shkrim, derisa çështja të kalojë në seancë plenare.

Në qershor të këtij viti, 104 deputetë nga 140 që ka gjithsej parlamenti i Shqipërisë votuan pro shkarkimt të Presidentit Meta. Maxhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill të këtij viti, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën. 

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Sipas raportit, presidenti Meta ka shkelur më shumë se 10 nene të Kushtetutës gjë që, sipas maxhorancës socialiste, ka sjellë mosgarantimin e unitetit kombëtar duke mbajtur anën e opozitës para zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxitur destabilitet dhe dhunë. 

Nëse gjykatësit kushtetues e gjykojnë të ligjshëm vendimin e Parlamentit, Presidenti Meta duhet ta lerë detyrën e lartë pa e përfunduar mandatin e tij pesëvjeçar, që mbaron në korrik 2022.

Vetë Presidenti Meta e ka konsideruar të paligjshëm komisionin hetimor, nuk ka pranuar akuzat e maxhorancës socialiste, e ka quajtur antikushtetues vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij dhe “të orkestruar nga PS për hakmarrje politike.”



Skip to toolbar