Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar dy listat e ardhura nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në lidhje me emrat e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këto dy lista do t’i kalojnë për miratim seancës parlamentare. Brenda 30 ditëve Kuvendi ka të drejtë të zgjedhë dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që ra në sy ishte se Komisioni i Ligjeve zbatoi procedurën e re duke miratuar pa ndryshuar listat e dërguara nga KED, pra vendosi të miratojë kandidatët për Gjykatën Kushtetuese sipas renditjes së KED, ndryshe nga presidenti Meta i cili zgjodhi kandidatin e fundit në listë dhe jo të parin. Pak javë më herët presidenti zgjodhi Besnik Muçin si anëtar për gjykatën Kushtetuese, megjithëse ky i fundit ishte renditur nga KED i fundit në listë.
Në listën e parë është Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Besnik Muçi, me këtë të fundit që është dekretuar nga Presidenti. Tashmë gara është mes Arta Vorpsit dhe Elsa Toskës. Votimi duhet të jetë me shumicë të cilësuar, por nëse nuk arrihet kuorumi i nevojshëm atëherë automatikisht i pari në listë do të jetë anëtari i Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që në listën e dytë që Komisioni i Ligjeve i dërgoi Kuvendit për votim me këtë renditje janë; Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska. Edhe këtu procedura është e njëjta, duhet shumicë e cilësuar në të kundërt, zgjidhet automatikisht i pari në renditje.
Edhe deputetët e Ligjeve në fjalën e tyre vërejtën se në këtë votim Kuvendi luan vetëm rolin e noterit pasi propozimet janë bërë nga KED.
“Ne tani po shqyrtojmë plotësimin e dy vendeve në Gjykatën Kushtetuese. Ky shqyrtim, është një punë formale në kuadrin të punës së kryer nga KED-ja. Në bazë të parashikimeve ligjore si Komisioni i Ligjeve dhe seanca plenare e Kuvendit ka më shumë rolin e noterit, sepse nuk i hyn thelbit të vendimmarrjes së KED-së. Nga shqyrtimi i dokumenteve që ka paraqitur KED, dokumentacioni është i plotë nuk ka asnjë mungesë. Ne duhet të miratojmë raportet duke i propozuar Kuvendit votimin e njërit prej kandidatëve të secilit grup nëse nuk do të arrihet një shumicë e cilësuar, i pari në listë do të jetë anëtari i Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Klotilda Bushka.
“Komisioni i Ligjeve është noter, pasi KED është organi që bën verifikimet. Mendoj t’i kalojmë raportet sipas vendimeve përkatëse. Për vakancën 12.02.2018, Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Besnik Muçi.
Për Muçin, që tashmë është anëtar i Kushtetues raportit që do të votojmë do i bashkëngjitim edhe dekretin e Presidentit. Një kundër (Alimadhi), asnjë abstenim, miratohet raporti për bllokun e parë të kandidaturave. Kalojmë për raportin për vakancën 04.03.2019, KED ka përcjellë Kuvendit tre kandidatë me këtë renditje, Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska. Një kundër, asnjë abstenim, miratohet. Me miratimin e raportit të dytë e mbyllim mbledhjen, raportet me dokumentet i përcillen Kuvendit për votim duke respektuar afatin 30-ditor të përcaktuar nga ligji për votimin për anëtarë të Kushtetueses. Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet që do të duhet të rifillojë së shpejti duke pasur në konsideratë numrin e çështjeve që presin të gjykohen kanë një rëndësi të madhe për opinionin publik dhe debatin politik”, tha Ulsi Manja në fund të mbledhjes.