Ish ministri i Metës, Ylli Manjani ka sulmuar mazhorancën dhe votimin në Kuvend të dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, ku në qendër të sulmit të tij ka pasur edhe deklaratat e kreut të grupit socialit, Taulant Balla mbi deklaratat e tij për bashkëjetuesen e Alibeajt.
“Taulant Balla duhet të ketë turp që anatemon, kandidatë të veçantë në garën e sajuar, gjithsesi, nga KED e tyre! Ça është domethënia kushtetuese apo qoftë dhe politike e deklarimit të shpifur se “filania dhe fisteku janë dashnorë”?! Si ka mundësi që procesi më i rëndësishëm i fillimit të zbatimit të Reformës, bëhet pis me moralizma të tilla të shpifura?! Se ja ta zëmë se është ashtu (ndjesë të përfolurve) e ça pastaj?! Ç’lidhje ka kjo me Kushtetutën dhe ligjin?”, deklaroi Manjani.
Ai ka hedhur akuza edhe ndaj KED, duke vënë në dukje se më mirë të ishte kualifikuar bashkëjetuesja e Alibeajt sesa persona që kanë ngelur në magjistraturë. “Pse nuk e skartuan në KED, te e njëjta që kualifikuan ngelëset në shkollën e Magjistraturës? Meqë jemi këtu, kush e dëmton më shumë Gjykatën Kushtetuese, kjo që paska pasë dashnor apo ato të tjerat që nuk kaluan dot testin me shkrim të shkollës së Magjistraturës?! Nëse Taulanti është akoma “dashnor i reformës”, duhet t’i vijë turp nga ai palo deklarim që ka bërë sot në atë palo-parlament”, u shpreh Manjani.