Tomi Frashëri do të jetë kreu i ri i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP. Më parë, Frashëri ka mbajtur postin e shefit të Protokollit të Kryeministrit Edi Rama. Ai u miratua në seancën e 18 dhjetorit në Kuvend me 80 vota pro, 9 kundër dhe abstenim 8 duke marrë drejtimin e institucionit të AKEP që më parë e mbante Ilir Zela.
Më 10 dhjetor Zela dha dorëheqjen nga drejtimi i AKEP, dhe një ditë më vonë i dërgoi një letër kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi ku shprehte se ka pasur presion të vazhdueshëm, nga interesat monopoliste, duke mos dhënë detaje të mëtejshme se kush fshihet pas këtyre presioneve, por ka theksuar se ai nuk ka lejuar në asnjë moment që interesat publike të në nëpërkëmben.
“Prej datës, 22 nëntor 2017 kam patur privilegjin që me besimin dhe mbështetjen e plotë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ti shërbej publikut në detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Me paqen e njeriut që i ka shërbyer publikut me përkushtim shembullor, në këtë detyrë apo në angazhime publike të mëhershme, pa lejuar në asnjë moment që interesat publike të nëpërkëmben nga presioni i pandërprerë i interesave monopoliste, ju njoftoj dorëheqjen time nga detyra e Kryetarit të Këshillit Drejtues të AKEP”, shkruante Zela në letrën e dorëheqjes së tij.
