Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar zyrtarisht Prokurorinë e Posaçme për heqjen e imunitetit të Sali Berishës.
Pas votimit me 75 vota pro, shkresa që mban firmën e Lindita Nikollës ka mbërritur në dyert e SPAK.
Nisur nga eksperiencat e mëparshme, veprimet tani pritet të bëhen shumë shpejt. Menjëherë pas marrjes së shkresës, prokurorët duhet të bëjnë relacionin dhe shkojnë në GJKKO duke kërkuar të vendosë për një masë sigurie ndaj Berishës.
Prokurori i SPAK, Arben Kraja deklaroi më herët në Kuvend se do të kërkojnë masën e sigurisë “arrest shtëpie” deri në “arrest me burg” për Berishën nëse nuk respektohet e para.
Pasi të marrë relacionin nga SPAK, GJKKO do të japë një masë të re sigurie ndaj Berishës. Nuk dihet ende se çfarë mase sigurie do të marrë gjykatësja Irena Gjoka ndaj Berishës, por alternativat janë që të mbyllet në shtëpi ose në qeli.