Konferenca e Kryetarëve, e cila është mbledhur të hënën para zhvillimit të seancës plenare për hapjen e sesionit V Parlamentar, ka miratuar kalendarin e punimeve deri më 20 shtator, ku bie në sy pikërisht ajo që ishte paralajmëruar nga mazhoranca se në shtator do të rrëzohen të gjitha dekretet e Metës për kthimin mbrapsht të disa ligjeve të rëndësishme. Janë pikërisht nëntë dekrete të Metës, të cilat pritet të merren në shqyrtim nga Kuvendi, në dy seancat e përcaktuara nga Konferenca e Kryetarëve, konkretisht më 12 dhe 19 shtator.
Katër dekrete të Presidentit për kthime ligjesh në Kuvend, konkretisht ligji “Për vetëqeverisjen vendore”, ligji “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, ligji “Për rezervat materiale të shtetit” dhe ligji “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve” pritet të kthehen mbrapsht në seancën e 12 shtatorit.
Ndërsa 5 ligje të tjera, po të kthyera me dekret nga Meta pritet të votohen në seancën plenare të 19 shtatorit. Kryetarët e grupeve parlamentare, duket se kanë lënë më shumë kohë për veten që të përgatiten për ligjet më të debatuara, duke i lënë për votim në seancën e 19 shtatorit. Konkretisht në këtë seancë do të votohen dekretet për ndryshimet e “Kodit Penal”, ligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar” dhe dy koncesionet që janë dhënë për rrugën Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara. Po ashtu një tjetër dekret i lënë më 19 shtator është ai “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, ku kujtojmë se kreu i shtetit ktheu mbrapsht edhe zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.
Miratimi i këtyre ligjeve të kthyera mbrapsht pritet të shënojë edhe një rindezje të motorëve të akuzave politike ndërmjet Maxhorancës-Opozitës-Presidencës. Përgjatë muajit gusht u duk sikur tonet politike ranë disi në qetësi, por për t’u rindezur që në ditët e para të vjeshtës. Dekretet e Metës për kthim dhe rishqyrtim ligjesh janë kundërshtuar publikisht nga maxhoranca, veprim ky që pritet të bëhet edhe ligjërisht, duke i rrëzuar të gjitha dekretet e Presidentit që kërkojnë ndryshime të ligjeve.
Megjithatë, rrëzimi i dekreteve duket se është vetëm fillimi betejës në sesionin e ri parlamentar, pasi në tre javët e dyta të kuvendit pritet të hyjë në shqyrtim edhe vendimi për shkarkimin e Metës, për të cilin është ngritur komisioni parlamentar, që brenda shtatorit do të nxjerrë konkluzionet e hetimit.