Kuvendi në seancë maratonë, nga paketa anti-shpifje te buxheti

AKTUALITET


Kuvendi do të mblidhet të mërkurën në orën 10.00 në një seancë që pritet të jetë maratonë jo vetëm për faktin se në rendin e ditës janë 22 çështje të rëndësishme për t’u diskutuar dhe hedhur në votim por edhe për faktin se pritet të ketë debate veçanërisht për paketën anti-shpifje të propozuar nga qeveria. Kjo paketë ligjore që përmban dy projektligje për mediat audio-vizive dhe mediat elektronike është kundërshtuar nga deputetët e opozitës parlamentare dhe jashtëparlamentare si dhe nga shoqatat e gazetarëve. Pritet që gjatë seancës së sotme të zhvillohen debate lidhur me këto dy propozime të qeverisë.

Një tjetër projektligj i rëndësishëm në axhendën e punimeve të seancës është edhe miratimi i projektbuxhetit për vitit 2020, si dhe kërkesa e kryeministrit për të zgjatur deri në fund të muajit mars situatën e fatkeqësisë natyrore që u shkaktua nga tërmeti i 26 nëntorit.

Pritet që diskutimet të fokusohen në fondet që janë parashikuar për përballimin e situatës post-tërmetit, pasi projektbuxheti i vitit 2020 do të diskutohet dhe miratohet me ndryshimet e bëra, ku në të është përfshirë edhe fondi për rindërtimin e banesave. Fondi për rindërtimin do të jetë 20 miliard lekë ku 13 miliard janë nga buxhetit të shtetit dhe pjesa tjetër ndihma. Po ashtu në buxhet është parashikuar edhe një fond prej 1.2 miliardë lekë që do të shërbej si bonus qiraje për të gjitha familjet e mbetura të pastreha si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.

Një tjetër pikë e rëndësishme është shkarkimi nga detyra i Arben Malajt si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së Bankë së Shqipërisë me propozim të qeverisë  si dhe votimi i ministrit të ri Arben Ahmetaj i cili është propozuar nga kryeministri Rama të drejtojë ministrinë e shtetit për Rindërtimin. Të gjitha këto çështje do të diskutohen në seancën e sotme parlamentare.

Axhenda e Kuvendit



Skip to toolbar