Nga Leart Kola
“I urrej indiferentet,”- thoshte Antonio Gramshi. Besoj se të jetosh do të thotë të jesh partizan, vazhdon ai. Kush jeton vërtetë nuk mund të mos jetë qytetar; indiferenca është apatizëm, parazitizëm, sjellje prej frikacaku. Pasoja e kësaj, nuk është jetë. Për këtë arsye, “I urrej indiferentët,” – thotë Gramshi në një ese të vitit 1917 të quajtur “Qyteti i të ardhmes.”
Rrefimi nuk është një shikim asnjanës i historisë; çdo histori është unike e atij që e tregon. Për këtë arsye, rrefimi i gjithësecilit prej nesh është ajo që në formë partizane besojmë, ku nuk kanë më rëndësi faktet, por faktorët që prodhuan ato fakte.
Në shkurt të këtij viti, me Institutin për Studime Sociale dhe Humane, u gjendëm duke organizuar në mënyrë të njëkohshme dy aktivitete. I pari për ‘Vullnetarët e Lirisë’ të luftës së Spanjës, dhe i dyti një ekspozitë me punime të gjeneral Rexhep Selimi, punime këto të bëra gjatë paraburgimit në Hagë, në pritje të një procesi Kafkian, ku viktima akuzohet pse u vetëmbrojt! (Historia tregohet vetëm në mënyrë partizane) e të mendosh që ky tribunal është krijuar menjëherë pas gjyqit të Nurembergut, ku krerët nazistë u dënuan për krime kundër njerëzimit, në mënyrë të veçantë për holokaustin ndaj hebrejve.
Ishin me fat që u dënuan atëherë, sepse me standardet e këtij tribunali sot do të varej me të njëjtin litar edhe Gobelsi me Zhukovin, e komandanti SS në Auschwitz me Oskar Schindler.
Çfarë kanë të përbashkët Petro Marko në ’37, me Rexhep Selimin në ’97 dhe me Dritan Goxhajn në 2023 është që ata historinë e bëjnë, nuk e tregojnë dhe për ta bërë historinë, duhet të jesh romantik, sepse duhet të besosh tek e vërteta universale “që të gjithë njerëzit kanë lindur të lirë” dhe të besosh te kjo do të thotë të jesh partizan.
Sepse nëse sheh faktet, ato janë kokëforta, tregojnë që historinë e bëjnë më të fortët; na mësojnë që njerëzit në fakt asnjëherë nuk kanë qenë të lirë, por vetëm kanë ndryshuar padronët; e që kur “rritesh” nuk duhet të besosh më dhe duhet të fillosh ta shohësh jetën për atë që është, jo për atë që do doje ti të ishte.
Çfarë i bashkon tjetër Petro Markon, Rexhep Selimin dhe Dritan Goxhajn përveç luftës për liri, është që Petro ishte shkrimtar, Rexhepi ka mbaruar universitetin për gjuhë letrare, dhe Dritan Goxhaj në mënyrën më të paturpshme po dërgohet sot në Hagë për “fjalët” që tha.
Fjala ishte e para, thotë bibla. Historia tregohet vetëm në mënyrë partizane dhe jetohet vetëm në mënyrë romantike.
Kantautori Bolonjez Francesko Guccini në këngën e tij “Don Kishoti” thotë kështu: ‘’Sancho, ascoltami, ti prego, sono stato anch’io un realista, Ma ormai oggi me ne frego e, anche se ho una buona vista, L’apparenza delle cose, come vedi, non m’inganna, Preferisco le sorprese di quest’anima tiranna Che trasforma coi suoi trucchi la realtà che hai lì davanti, Ma ti apre nuovi occhi e ti accende i sentimenti. Prima d’oggi mi annoiavo e volevo anche morire, Ma ora sono un uomo nuovo che non teme di soffrire…’’
‘’Sancho, më dëgjo, të lutem,
edhe unë kam qenë një realist,
por tashmë as nuk më intereson,
edhe nëse kam një pamje të mirë,
dukja e gjërave, siç e shikon,
nuk më mashtron.
Preferoj surprizat e këtij
shpirti torturues,
që transformon me marifetet e veta
realitetin mu këtu përpara,
por të hap sy të reja
dhe të ndez ndjenjat,
Para ditës së sotme,
unë mërzitesha dhe doja edhe të vdisja,
Por tani jam një njeri i ri,
që nuk kam frikë nga vuajtja…’’
Një njeri i ri, që nuk ka frikë të vuajë është Dritan Goxhaj, luftëtari i UÇK, i kërkuar nga Prokuroria e Hagës sepse guxoi të besonte se jeton në një botë ku e mira dhe e keqia janë qartësisht të ndara dhe detyra jonë është të promovojmë të mirën dhe të luftojmë të keqen.
Por nuk beson kështu gjykata që gjykon ëndrrat dhe e arreston, sepse për popujt e vegjël është e paligjshme të ëndërrosh për liri.
Për ata që nuk kanë qenë, Haga është një qytet i vogël, gati klaustrofobik, me një gjykatë, që sa më shumë kohë kalon bëhet edhe më e vogël. Të vetmit njerëz, që do gjeni në atë qytet janë luftëtarët e lirisë, pjesëtarët e UÇK, që gjenden në qeli, të cilat duken të mëdha sa gjithë planeti ku jetojmë. I vetmi vend ku mund të ndjehesh realisht i lirë.
E kam menduar shpesh herë të shkruaj për emocionet, që ndjej gjatë vizitave në Hagë, por si mund të flasësh për idhujt? Si mund ti dekonstruktosh ata në disa histori, kur cilido prej tyre është një univers? Ku cilado histori është sa historia personale e tyre, aq dhe historia e Botës, siç e ëndërronin ata, pa kufi por vetëm me ide, që i bashkojnë universalisht ata që luftojnë për liri.
Bota, do thoshte Pessoa, nuk është gjë tjetër vetëm një element dekorativ përpara syve dhe veshëve tona; prej emotivitetit tonë psikologjik nuk kërkojmë asgjë nga jeta, por vetëm të jemi spektatorë të saj.
E pra, në këtë botë, spektakli e spektatorësh, disa prej nesh vendosen që të mos rrinë indiferentë dhe të veprojnë, janë ata të cilët kujtojmë sot, janë ata që na bëjnë krenarë, dhe për këto endrra ja vlen të jetohet, sepse një jetë pa endrra është apatizëm, parazitizëm, indiferencë. Për këtë, i urrej indiferentët!”