Kryeministri Rama i sapo kthyer nga samiti i NATO-s në Londër dhe nga Italia ku foli për Shqipërinë në emisionin e mirënjohur “Porta e Porta”, në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë të zhvilluar mëngjesin e së enjtes zbuloi detaje të reja nga plani i qeverisë për rindërtimin e vendit pas tërmetit ku tha se do të ndërtohen disa lagje të reja në Laç, Tiranë dhe Durrës ku do të strehohen banorët e prekur nga tërmeti. Rama gjithashtu dha një mesazh të qartë për “grupin e strukturuar KÇK” që ishte prioriteti i tij para se të binte tërmeti, ndërsa tha se nuk do të lejohen në asnjë mënyrë që ata të zgjasin duart te fondet e rindërtimit. Kryeministri njoftoi gjithashtu se të dielën do të jetë në Stamboll të Turqisë, në krah të Erdogan ku do të zhvillohet konferenca e donatorëve të shteteve myslimane që do të kontribuojnë për Shqipërinë. Kryeministri në fjalën e tij nuk la pa i dërguar mesazhe edhe kreut të opozitës, Lulzim Bashës i cili kërkon anulimin e koncesioneve. Por sipas Ramës buxheti dhe koncesionet nuk do të preken. Qytetarëve do t’i garantohen shërbimet e tjera, dhe krahas kësaj do të nisë rindërtimi i vendit dhe në pranverë do të hapen disa kantiere ndërtimi.
Lagjet e reja
Tre janë lagjet që qeveria parashikon të ndërtojë në Tiranë, një në Kombinat, një në Shkozë ose ish Uzina e Autotraktorëve dhe një te Bregu i Lumit, krahas një lagjeje që do ndërtohet në Durrës dhe një në Laç. “Në Durrës do të bëjmë një lagje komplet të re, kjo është shumë e qartë. Hapësirat ku ka pasur shembje do të kemi parqe, infrastrukturë sociale dhe arsimore, apo edhe në Tiranë jemi të qartë se duhet një ndërhyrje e fortë në Kombinat prishja e atyre godinave me probleme dhe ndërtimi i një blloku të ri banesash për të akomoduar ata njerëz. Një pikë tjetër te “5 Maji” pranë lumit ku ne mund të bëjmë spostime, pa ju spostuar komplet jetën, aty do të bëjmë një lagje tjetër dhe tjera te ish-Uzina e Autotraktorëve (Shkozë). Këto tre pika ne plotësojnë nevojën. Me objektivin afat gjatë 10 mijë apartamente dhe afatshkurtër 5 mijë. Do të jenë lagje të reja sikur nuk ka sot në Shqipëri, kopshte, shkolla, çerdhe, kënde sportive me të gjitha. Lagje model, jo geto. Në Laç duhet të fillojmë shembjet, që të kemi po ashtu një lagje të re në gjithë atë zonë”, tha Rama.
Koncensionet-Basha
Kryeministri i ktheu përgjigje edhe Bashës referuar propozimit të liderit demokrat për të anuluar 150 milionë dollarë koncesione. “Nuk do të prekim palcën e shtyllës kurrizore të buxhetit, sikur na është propozuar apo propaganduar si zgjidhje magjike. Nuk do të cenojmë parametrat kryesorë të buxhetit sepse duam që rindërtimi të jetë një plus në ekonomi, jo një shkak që ekonomia të impaktohet negativisht. Nuk do të prekim asnjë nga programet e shërbimeve. Kemi hequr nga buxheti të gjithë volumin e shpenzimeve për logjistikë, makina, zyra, pajisje etj pa prekur strukturën e investimeve për teknologjinë sepse aty do ishte një tjetër budallallëk”, tha Rama.
Konferenca në Stamboll
“KE dha 15 milionë euro. Nuk do të jetë vetëm kjo ndihma e BE-së, kjo ishte e para pa burokraci. BE-ja, KE, po punon me ne edhe për dy mekanizma të tjerë për t’iu përgjigjur kërkesës për të rialokuar të gjitha fondet IPA për këtë drejtim, rindërtimin, që kanë qenë të planifikuara po destinuara dhe tjera mekanizimi i solidaritetit për emergjencat natyrore. Priten gjithë të dhënat se pa ato s’ka s’i bëhet dhe ato po mblidhen edhe nga vetë BE. Konferenca e madhe e donatorëve është një sukses sepse krijon premisën për një qasje shtet me shtet në raport me Shqipërinë. Një instrument ekstra me një potencial të konsiderueshëm. Me Erdogan do të jemi të dielën me konferencën e madhe të investitorëve në Stamboll, të besimit mysliman. Po vijojmë edhe në drejtim të vendeve të tjera të rajonit lindor. Do të kemi një mbështetje të konsiderueshme në raport me nevojën. Skenari i përgatitur nga ministria e Financave që praktikisht do të jetë program i veçantë në buxhetin e shtetit është ndërtuar që gjërat të bëhen pavarësisht sa fonde do të vijnë nga jashtë, zëre se nuk do të vijë asnjë lek dhe në proces do të axhustohen numrat nga nevojat”, tha Rama.
Dosjet KÇK
Kryeministri bëri të qartë se askush nuk do të shpëtojë pa dhënë llogari për shkeljet e bëra në ndërtimet që pësuan dëme ndërsa dha dhe një mesazh për grupin KÇK. “Lidhur me punën paralele që po zhvillohet për hetimet dhe për nxjerrjen e përgjegjësive të atyre që do të rezultojnë përgjegjës pavarësisht fuqisë së tërmetit. Rastet kur godinat e shembura dhe të pabanueshme janë produkt e shkeljeve. Shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete. Atyre që më shkruajnë që bien pre e lehaqenëve që nxjerrja e përgjegjësive nuk është diçka që mund të bëhet sa hap dhe mbyll sytë, por kërkon dokumentim dhe KÇK është aty e gatshme të shfrytëzojë këtë situatë për të qenë në lartësinë e motos. Nuk do t’i japim KÇK mundësinë të shqyejë ndonjë copë tjetër. Do të bëjmë çmos që të gjitha referimet të jenë të kopsitura, por kjo kërkon pak kohë dhe durim ju që me të drejtë kërkoni gjak”, tha Rama.